Transmetuar më 12-07-2017, 14:08

Më shumë se 170 vullnetarë të huaj e shqiptarë, pjesë e Korpusit të Paqes që vepron edhe në vendin tonë, u angazhuan sot, që në orët e para të mëngjesit, në një mision vullnetar për pastrimin e Parkut të Liqenit.

Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Kate Becker, të cilët ndihmuan në pastrimin e parkut nga mbetjet dhe barërat e këqija, që përbëjnë rrezik për zjarre në këtë periudhë të nxehtë.

Kryetari i bashkisë falenderoi të gjithë ata qytetarë të përgjegjshëm për kontributin e tyre dhe theksoi se një qytet, pavarësisht mundësive që ka për menaxhimin e punëve publike, ka gjithmonë nevojë për akte të tilla vullnetarizmi.

 “I ftoj qytetarët e Tiranës të bëjnë më shumë punë vullnetare. Ndonjëherë ndihem pak keq kur ka më shumë të huaj që bëjnë punë vullnetare se sa ne shqiptarët. Për herë të parë pashë që vullnetarëve amerikanë iu ishin bashkuar edhe shumë të rinj të qytetit të Tiranës, për të kuptuar që vullnetarizmi nuk është një çështje e mirëqenies ekonomike, por është një çështje e gjendjes tënde shpirtërore, e gjendjes tënde mendore, si qytetar i mirë”, tha Veliaj. 

Ai gjithashtu bëri të ditur se së bashku edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë grupe të tjera vullnetarësh që veprojnë tashmë në Tiranë, do të ndërmerren shumë fushata që i vijnë në ndihmë të pamundurve, por edhe që ndihmojnë për ta bërë një qytet më të mirë.

“Duam që këtë vit të mbjellim 50 mijë pemë të reja, jo vetëm në Parkun e Tiranës, por edhe në Parkun e Farkës dhe të Kasharit dhe do të gjejmë një mënyrë se si duke inkurajuar vullnetarizmin edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë prej vullnetarëve shqiptarë që fatmirësisht janë shtuar, të kemi mundësi që të kemi një stinë fantastike mbjellje dhe t’i afrohemi projektit tonë të pyllit orbital, që deri në vitin 2030 të kemi mbjellë 2 milionë pemë në total”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.