Transmetuar më 11-07-2017, 17:30

Ishte vetëm 13 vjeç, por u vra nga një plumb që ra nga qielli. Policia beson se dikush në zonën ku Noah Inman po luante basketboll me shokët e tij, ka qëlluar me pistoletë në ajër.  

“Ndoshta është qëlluar për të festuar. Por të qëllosh në ajër është një veprim idiot, ku mendojnë se përfundojnë plumbat?”, tha Tom McDermott, kryebashkiaku i Hammond, qytet në Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Kur Noah ra përtokë, shokët menduan se kishte një krizë epilepsia, shkruan noa.al. Por kur u dërgua në spital, mjekët konstatuan në kokën e të miturit, një plumb i cili kishte depërtuar në thellësi.

Noah u dërgua me helikopter deri në Chicago, por pavarësisht ndihmës së dhënë, gjeti vdekjen të dielën pas katër ditëve të kaluar në koma. /a.y/noa.al