Transmetuar më 11-07-2017, 16:40

Temperaturat e larta vijojnë të jenë të pranishme në të gjithë vendin duke bërë që dhe rreziku i zjarreve të jetë evident.

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar shtatë vatra zjarri në qarkun e Dibrës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit.

Shërbimi i Emergjencave Civile duke dhënë informacion për situatën deri në orën 16.30 thotë se forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë pavarësisht vështirësive të terrenit.

Vatra e zjarrit në fshatin Patin, Klos të Dibrës, e cila u riaktivizuar gjatë mesditës është drejt shuarjes pas ndërhyrjes nga ajri me helikopter.

Në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse të cilat punuar që flakët e zjarrit mos ti afroheshin dy banesave që ishin të braktisura në zonë.

Në fshatin Gurës e Vogël, Klos zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre, por për shkak të terrenit malor zjarrfikëset nuk kanë mundur të ndërhyjnë. Për të shuar flakët është angazhuar një helikopter.

Në Shegan të Malësisë së Madhe zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Tre makina zjarrfikëse janë në vendngjarje dhe po punojnë për të shuar flakët.

Në fshatin Fanjë, Përrenjas ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset nga Librazhdi dhe po punojnë për të shuar flakët.

Në fshatin Mavrovë, Selenicë të Vlorës zjarri i rënë në mesditë vijon.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse që po punojnë për shuarjen e flakëve.

Në fshatin Vodicë, Selenicë zjarri ka prekur një sipërfaqe me shkurre. Për shkak të terrenit malor zjarrfikëset kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të shuar flakët.

Në fshatin Goricë, Gjirokastër ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Në vendngjarje kanë shkuar dy mjete zjarrfikës të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve.