Transmetuar më 11-07-2017, 14:19

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile jep të dhënat e fundit lidhur me situatën e zjarreve në vendin tonë si pasojë e temperaturave të larta gjatë mesditës së sotme.

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar dy vatra zjarri në qarkun e Dibrës dhe atë të Vlorës.

Forcat zjarrfikëse së bashku me ato të pyjores dhe pushtetin vendor kanë ndërhyrë për të vendosur nën kontroll flakët e zjarrit.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Vatra e zjarrit në fshatin Patin, Klos të Dibrës është riaktivizuar gjatë mesditës. Edhe pse terreni është shumë i vështirë forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete për të shuar flakët.

Nga flakët rrezikohen dy banesa të braktisura që ndodhen në zonë. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 40 forca ushtarake ndërkohë është nisur edhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri.

Në fshatin Mavrovë, Selenicë të Vlorës një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse që po punojnë për shuarjen e flakëve. /a.y/noa.al