Transmetuar më 10-07-2017, 22:30

Mbrëmjen e sotme në Emisionin “Stop” në Televizionin Klan janë transmetuar pamjet e rënda të dhunës që administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli ka ushtruar ndaj gazetarit Genci Angjellari.

Pas investigimit të rrugës që bënin mbetjet e rrezikshme spitalore dhe derdhjes së tyre në brigjet e lumit Erzen, Inspektoriati i Mjedisit, grupi i policisë dhe OPGJ shkuan në vendngjarje për hetimin e skandalit.

Por edhe pas njoftimit të autoriteteve, mbetjet e rrezikshme “u zhdukën” gradualisht nga vendi, ku u hodhën javën e kaluar.

Gazetari i “Stop” kërkoi shpjegim për krimin mjedisor edhe nga aksionerja dhe administratorja e firmës “Euroteam”, Mirela Topulli. Por kjo e fundit, e gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të skandalit, ushtroi dhunë mbi gazetarin Genci Angjellari.

Gazetari: Përshëndetje ju jeni pronarja e kësaj fabrikës?

Mirela Topulli: Nuk kam komente.

Gazetari: Pse, po këto mbetjet që janë djegur, ku i hidhni?

Mirela Topulli: Ju, kush jeni ju?

Gazetari: Jam nga Televizioni Klan, nga emisioni “Stop”.

Mirela Topulli: Gëzohem. Qofsh me shëndet!

Gazetari: A mund të na japësh informacion se ku i hidhni këto mbetje?

Mirela Topulli: Ka mundësi të largohesh pak nga makina?

Gazetari: Për çfarë arsyeje? Mund të na thuash se ku i hidhni këto mbetje zonjë?

Mirela Topulli: Zotëri mund të largohesh pak nga makina?

Gazetari: Po nuk mund të largohem se kjo është një ndotje shume e madhe mjedisore që ndodh.

Mirela Topulli: Çfarë di për ndotjen mjedisore?

Gazetari: Unë çfarë di?

Mirela Topulli: Hë?

Gazetari: Do shkojmë bashkë tani të tregoj unë se ku i keni hedh mbetjet?

Gazetari: Do na ndjekësh nga mbrapa?

Mirela Topulli: Do vij unë...

Gazetari: Hajde... Ktheje makinën...

Mirela Topulli: Ju jeni bajga e shoqërisë shqiptare...

Gazetari: Bajgat i ke hedh atje.

Mirela Topulli: Unë hedh atje?

Gazetari: Kush i hodhi?

Mirela Topulli: Ta tregoj unë se kush i hodhi.

Gazetari: I ke me të filmuara të gjitha, të gjitha. Ja shikoje! Shiko çfarë bën, shikoje!