Transmetuar më 09-07-2017, 23:05

Një zjarr i përmasave të mëdha është regjistruar mbrëmjen e sotme në pjesë e kurorës me pyje në Tepelenë. Mësohet se në rrezik serioz janë spitali i qytetit dhe depot e ujit, ndërsa është kërkuar edhe ndihmë nga ajri për të shuar flakët.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi ka theksuar se autoritetet kanë thënë se për shkak të orarit të vonë, është e pamundur ndërhyrja me helikopter. Banesat dhe spitali ndodhen fare pranë zjarrit duke përbërë një rrezik serioz. 

Forca të shumta zjarrfikëse dhe mjetet e ndihmës së shpejtë janë në vendin e ngjarjes, por terreni i vështirë e pamundëson ndërhyrjen në kohë.

Nuk dihen shkaqet e zjarrit që po përhapet me shpejtësi, dhe fakti që ka rënë në orët e mbrëmjes, dyshohet se është vënë qëllimisht.

Flakët po përhapen me shpejtësi drejt lagjes “15 shtatori”, ndërsa emergjencat civile po përgatisin planin e ndërhyrjes. 

Ditët e fundit kanë qenë të shumta vatrat e zjarrit në të gjithë Shqipërinë, ku janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale. /k.k/noa.al/