Transmetuar më 09-07-2017, 17:18

Duket se nuk ka qetësi mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Shteti komunist ka kërcënuar SHBA se “po luan me zjarrin”, ndërsa Amerika ka dërguan në gadishull dy sulmues amerikanë B-1B Lancer.

Avionët e fuqishëm morën pjesë në stërvitjet e përbashkëta të forcave koreano-jugore dhe atyre amerikane, menjëherë pas testit raketor balistik të Koresë së Veriut, të martën.

“Një vlerësim i gabueshëm ose gabim, mund të shkaktojë shpërthimin të një lufte bërthamore që me automatizëm mund të çojë në një luftë të re botërore”, ishte alarmi i transmetuar i Phenianit përmes gazetës ditore “Rodong Sinmun”.

“Pohimet e SHBA-ve se rregullisht do të dërgojnë bombardues në Gadishullin Korean, janë njëjtë sikur të luani me zjarr mbi një kasafortë me municion”, shkruan më tej gazeta. Koreja e Veriut ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tërheqin praninë ushtarake në Korenë e Jugut, ndërkohë që provokimet e veta bërthamore i quan si një strategji mbrojtëse.