Transmetuar më 09-07-2017, 12:31

Banorët e bllokut që kufizohet nga rruga e “Kavajës” dhe “Vëllezërit Manastirli” në kryeqytet do të kenë më shumë prurje në rrjetin që i furnizon ata me ujë të pijshëm. Rrjeti i amortizuar ndër vite, si pasojë e mungesës së ndërhyrjeve, është rinovuar tërësisht duke zgjidhur përfundimisht problemin e furnizimit me ujë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen për shtrimin e linjës së ujësjellësit në rrugën “Naim Frashëri”, projekt që konsiston në rikonstruksionin e rrjetit ekzistues, si dhe linjave të rrjetit shpërndarës në rrugicat që takohen me këtë rrugë, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë.

Veliaj theksoi se ky investim tregon më së miri se pavarësisht stinës së verës, Bashkia është në punë për të mbajtur premtimet para qytetarëve të saj. 

“Ishim këtu para 2 javësh, duke u premtuar njerëzve që ka ose jo fushatë, ka ose jo pushime, në Bashkinë e Tiranës puna do të vijojë njësoj përditë. Sidomos në këto ditë të verës, ku ndihmohemi edhe prej faktit se disa nga banorët kryejnë pushimet e tyre”, tha Veliaj.

Duke u ndalur në situatën e furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet, ai deklaroi se falë masave të marra këto ditë ka një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me një javë më parë.

“Lajmi i mirë është që situata me ujin e pijshëm është drejt përmirësimit. Jemi ndihmuar jashtë mase nga prerja e mijëra lidhjeve të paligjshme. I kërkoj qytetarëve që ta kursejnë ujin e pijshëm, pavarësisht se situata është përmirësuar. Uji i pijshëm sot është një mall, i cili vërtet në Tiranë ka koston më të lirë në treg, por gjithsesi është një mall që e ka një fund”, tha ai, ndërsa bëri thirrje për sensibilizimin e qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me ujin e pijshëm dhe të mos e shpërdorojnë atë.

Kryebashkiaku deklaroi se grupet e Task Forcës do të vijojnë punën në terren për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm dhe u kërkoi drejtuesve të Bashkisë Kamëz dhe Vorë që të tregohen bashkëpunues për të ndaluar rastet e abuzimit me ujin e pijshëm. /b.l/noa.al/