Transmetuar më 09-07-2017, 10:34

Kryeministri Rama ka postuar sot në “Facebook” një shkrim të “La Repubblica” për Shqipërinë. Shkrimi, në formë reportazhi, ka si qëllim të promovojë turizmin kulturor në Shqipëri.

Rama, në postimin e tij shkruan se artikulli është tërheqës dhe i bërë nga një prej gazetave më të rëndësishme italiane.

“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull tërheqës për Shqipërinë botuar në njërën prej gazetave më të rëndësishme italiane”, shkruan Rama.

SHKRIMI

TURBO ALBANIA

Gjuhë neonesh blu ngjyrosin ndërtesa të rënda prej betoni. Një tufë flokësh në një rozë tronditëse feks në permanentin gri të një zonje të veshur me kostum ngjyrë qershi e kuqe, e cila qëndron ulur në një bar-kafe. Dhe kur perëndon dielli, shkallët prej mermeri të Universitetit Shtetëror me pamjen hijerëndë të arkitekturës fashiste, transformohen në skenë për akrobacitë çiklistike të adoleshentëve.

Tirana është një vajzë 20-vjeçare e cila, për të imituar motrat e saj më të mëdha, kryeqytetet evropiane, ekzagjeron me tualetin vetëm e vetëm që të bjerë në sy. Në fund të fundit, Shqipëria ka kohë që jeton duke parë drejt Perëndimit, duke ushqyer ëndrrën për të hyrë në Europë. Aq e vërtetë është kjo, saqë shqiptarët kanë përshpejtuar hapat për të përfunduar të gjitha detyrat e shtëpisë që u ka ngarkuar atyre Komisioni Europian si i vetmi kusht për të kaluar provimin e hyrjes në BE.

Për shembull, vendi i ka besuar një prej yjeve të arkitekturës, Stefano Boerit, planin urbanistik të kryeqytetit (kështu që dhe Tirana do të ketë Pyllin e saj Vertikal brenda vitit 2030), ndërsa një reformë e fortë e drejtësisë ka si objektiv që të çojë në burg gjyqtarët dhe politikanët e korruptuar. Pastaj është ekonomia, e cila ka marrë hov jo vetëm falë një bumi investitorësh të huaj të cilët zgjedhin Shqipërinë sepse këtu paguajnë vetëm 15% taksa dhe 400 euro paga për punëtorët, por edhe falë një turizmi në shpërthim e sipër që ka tërhequr vëmendjen e aktorëve të mëdhenj italianë të fushës siç është Alpitour që nga ky vit ka nisur dy ture kulturore në Shqipëri.

Sepse ndonëse në jug, midis Dhërmiut dhe Ksamilit, Shqipëria mburret me plazhet me rërë të bardhë dhe detin e kristaltë, në zonat e tjera të brendshme ajo ka histori misterioze për të treguar: në veri, midis fshatrave të humbur të Malit të Mallkuar, mund të ndodhë që të takosh një “Burrneshë”, një vajzë ose grua me gjoksin e fashuar, me pamje të pakuruar dhe flokë të shkurtra, e me një pushkë në sup. Ajo është betuar përpara 12 kryetarëve të fisit se do ta braktisë aspektin e saj femëror në këmbim të respektit të tyre.

Duket se është e mundur që në një territor të madh sa Sicilia të mund të bashkëjetojnë një kod antik dhe gjakatar si Kanuni (detyrimi për të marrë hakun e familjes) me “rave party” me muzikë tekno të cilat gjallërojnë çdo vit kampingjet e egra të Vunosë. Këtë kontradiktë kryeqyteti i vendit përpiqet ta përthithë nëpërmjet një fryme të jashtëzakonshme “punk”, një shijeje për çdo gjë që është ekscentrike, dhe një karakteri ç’shugurues. Është e sigurt që shqiptarët nuk i kanë fituar këto cilësi në koncertet e grupit “The Clash”. Asokohe mungesa e tyre ishte plotësisht e justifikuar, sepse nuk ua lejoi perdja e hekurt 50-vjeçare, ndër më mizoret që komunizmi mundi të ndërtojë, nën diktaturën e Enver Hoxhës.

Ai mori pushtetin në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, dhe brenda pak kohe prishi marrëdhëniet me të gjithë : sllavët, rusët, me komunistët kinezë, duke djegur kështu çdo urë komunikimi me pjesën tjetër të botës dhe duke u përgatitur për një pushim imagjinar. Natyrën e harlisur shqiptare e mbushi me 170 mijë bunkere, disa prej të cilëve sot janë përshtatur si dyqane të vegjël produktesh biologjike, bujtina të çuditshme, lëndë e parë për letër muri plot fantazi, por pjesa më e madhe e tyre mbetet (thjesht) në pritje të erozionit. Në kohën e komunizmit, njerëzit duhet të fshiheshin aty brenda në rast bombardimesh të armiqve. Ai kishte krijuar dhe pesë qytete-bunker: më e madhja, e realizuar nën një kodër në Tiranë, do shërbente si strehë për Enver Hoxhën në rast pushtimi, dhe kishte pesë kate të nëndheshme dhe 102 dhoma.

Përpara tre vitesh, korrespondenti i agjencisë Ansa për Ballkanin, Carlo Bollino, paraqiti një projekt për ta transformuar atë bunker në një muze që t’i tregonte botës misterin e komunizmit: çdo dhomë i dedikohet një aspekti të veçantë të jetës së asaj kohe, që nga dushi dezinfektues për të burgosurit politikë, në ushqimoret e trishta, tek tortura. Muzeu quhet BunkArt, dhe CNN-i e ka listuar këtë vit ndër 17 vendet për t’u vizituar. Bollino, që ndërkohë është bërë shtetas shqiptar, është drejtori artistik i këtij muzeu. “Këtu poshtë ushtarët jetonin sikur të ishin në një nëndetëse, dhe deri në vitin 2000 kjo strukturë u përdor për trajnimet ushtarake”.

Shqipëria bëhet akoma më interesante nëse e vizitoni atë bashkë me vendas (për më shumë që pothuajse të gjithë shqiptarët flasin italisht), sepse një mesoburrë me kujtesë të mirë mund t’ju përshkruajë panikun e vitit 1995 kur mendohej se amerikanët mund të sulmonin vendin. “Ishte një alarm i rremë, por mua më dolën thinjat”. Pastaj, ai do t’ju tregojë se si, pasi u rrëzua regjimi, nevojat më emergjente të njerëzve ishin dy: “Mercedesi dhe shtëpia”. Kështu, nëse në fillim të viteve ’90 makinat që qarkullonin ishin 17, sot ato janë 170 mijë.

Edhe pse i japin timonit në mënyrë shumë të shkujdesur (aq sa është vështirë që agjencitë italiane të sigurimit të makinave të duan të mbulojnë dhe Shqipërinë), shqiptarët vazhdojnë të shfaqin një devocion fetar integralist në makinat e tyre që i “lumnojnë” në një prej miliona lavazhove të përhapura kudo në vend, të cilët janë pika të sajuara për larjen e makinave, të pajisur së shumti me një leckë dhe tub uji.

Pesëdhjetë vjet komunizëm nuk harrohen sa hap e mbyll sytë, dhe prandaj procesi i fshirjes nga kujtesa dhe ndjenja e fajit janë ende aty, të përfaqësuar në mënyrë simbolike nga statuja e Stalinit e mbuluar me një pëlhurë dhe e harruar në pjesën e pasme të Muzeut Kombëtar, në pritje për t’u pranuar. Psikologjia komplekse e trashëguar u trondit nga ngjyrat dhe ristrukturimi i ndërtesave, nga arkitektë në zë dhe lokale moderne që pushtuan Bllokun, një lagje ku dikur kishte akses vetëm klasa udhëheqëse, të gjitha këto ndryshime që i kërkoi një artist rebel dhe intelektual, Edi Rama, Kryeministër dhe ish kryetar bashkie i qytetit, mandati i të cilit u rikonfirmua më 25 qershor.

Rama i la dorë të lirë autorëve që të fshinin grinë e pallateve dhe ta zëvendësonin atë me ngjyra dhe forma të feksura, ndërsa artistë ekstravagantë kanë krijuar instalime të përhershme në të gjitha lagjet. Madje, edhe në oborrin e kryeministrisë bie në sy një kërpudhë psikedelike dhe një markizë me drita neoni e krijuar nga Philippe Parreno.

 

Hapat e Ramës u ndoqën nga kryetari i ri i bashkisë, 39-vjeçari Erion Veliaj, i cili ka studiuar në SHBA dhe flet me entuziazëm rreth një projekti për të krijuar kopshte dhe çerdhe të reja, parqe dhe zona të gjelbra, për të tërhequr sipërmarrës dhe për ta rikonceptuar qytetin i cili aktualisht numëron 102 kantiere publike, përveç atij që sapo u mbyll. Bëhet fjalë për rikualifikimin e zemrës së qytetit, sheshit Skënderbe i cili nga një rrethrotullim kaotik rrugor u transformua në një zonë të madhe pedonale.

Pavarësisht këtyre përmirësimeve, punët që mbeten për të bërë janë ende shumë. “Qyteti rritet me një ritëm prej 50 personash në ditë, 20 mijë në vit. Shumë prej tyre vijnë nga zonat rurale me ëndrrën që fëmija i tyre t’ia dali në jetë, të tjerë janë emigrantë të kthyer të cilët kanë dëgjuar të flitet për rilindjen e Tiranës dhe duan t’i shpëtojnë krizës ekonomike që ka zvogëluar mundësitë për punë në Europë”, tregon kryetari i bashkisë i cili përveçse tek betoni, ka venë bast edhe në formimin kulturor të fëmijëve duke ushqyer tek ata ndjenjën qytetare.

Chiara Nifosì, pofesore e Zhvillimit të territorit në Politeknikun e Milanos, është marrë me projektimin e disa lagjeve periferike të Tiranës dhe të disa zonave bregdetare. “Plani urbanistik i Stefano Boerit është padyshim pozitiv dhe e projekton qytetin drejt së ardhmes, duke pasur për shembull parasysh zonat e gjelbra urbane, por qyteti përballet me probleme të mëdha në periferi. Mungojnë trotuare dhe kanalizime, dhe fenomeni i ndërtimeve pa leje është aq i përhapur saqë është e pamundur të llogaritet me saktësi sa banorë ka qyteti.

Kryetari i ri i bashkisë, me të drejtë po punon për sensibilizimin kulturor, për të rifituar një frymë qytetare që u shkatërrua pas rënies së komunizmit”, tregon prof. Nifosì e cila po merret, gjithashtu, edhe me rikualifikimin mjedisor të lagunës së Divjakës, një park natyror i cili po lufton dëmet e ndotjes duke shfrytëzuar ndërtesat e gjelbra, zhvillimin e turizmit agrar dhe turizmin e qëndrueshëm.

Një impakt pozitiv mbi mjedisin ka pikërisht kthimi i të rinjve shqiptarë që kanë jetuar për një farë kohe në Europë. Flori Uka është një 33-vjeçar i cili ka studiuar enologji në Udine dhe tani ka hapur një agriturizëm në Qendër Laknas, 30 km larg kryeqytetit, ku kultivon fruta dhe perime biologjike nga fara të vjetra duke përdorur vetëm fertilizues natyralë. Prej pak kohësh ka hapur dhe një kantinë për të mbledhur rrushin e kuq Kallmet dhe kokrrat e bardha të Cerujës prej të cilave përftohet një verë e ngjashme me atë Tokaj. “Prodhimet e kopshtit janë vetëm për kuzhinën e agriturizmit, por kemi si qëllim që të shtrijmë aktivitetin për të krijuar më shumë vende pune në sektorin e bujqësisë biologjike”, shpjegon Uka i cili flet për politikat bujqësore evropiane sikur të ishte tashmë pjesë e tyre, sepse të rinjtë e ndjejnë veten evropianë me të drejta të plota. Këtë e thotë Nicola Pedrazzi, ekspert për Shqipërinë pranë “Osservatorio dei Balcani e Caucaso”, i cili ka jetuar në Tiranë nga viti 2012 në vitin 2016. “Ka ende shumë rrugë për të bërë. Shqiptarët e kanë nisur tashmë, por nuk është e thënë që t’i shkojnë deri në fund sepse ka ende shumë çështje të diskutueshme.

Një sistem politik i kapur nga korrupsioni, nivele të larta të punës në të zezë, rroga shumë të ulëta, asnjë sindikatë, asistencë shëndetësore shumë e ulët, zero sigurime qytetare ose platforma të rrjeteve sociale. Le ta themi, pas pamjes ekzotike dhe bukurive natyrore fshihet një vend që duhet ndërtuar ende i gjithi”. Por, sipas Pedrazzit, hyrja në Evropë është e domosdoshme për të shmangur që Shqipëria dhe Ballkani, prej kaherë shtete-jastëk midis Lindjes dhe Perëndimit, të përfundojnë nën sferën e interesit turk dhe islamik. “Nëse kërkesa e Shqipërisë për të hyrë në Evropë do të refuzohet, atëherë mund të hapet mundësia e një përafrimi me Turqinë dhe Lindjen e Mesme të cilat sot po përpiqen të shtrijnë sferën e tyre të interesit në vend. Qeveria turke e Erdoğanit ka financuar ndërtimin e një xhamie gjigande në qendër të Tiranës”. Por 50 vjet komunizëm kanë çuar në një laicizëm të thellë të popullsisë, pjesa më e madhe e të cilës i përket besimit Bektashi, një urdhër islamik me prejardhje nga Sufizmi, shumë tolerant, qendra kulturore e të cilit ndodhet pikërisht në Tiranë.

Në fund të fundit, për shumë të rinj besimi i vërtetë është muzika tekno. Sikurse për Melisën, studenten 23-vjeçare e cila studion fizioterapi në Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, ku leksionet zhvillohen tërësisht në italisht. Është e shtunë në mbrëmje dhe bashkë me shoqet e saj është ulur në shkallët përballë sheshit Nënë Tereza, duke pritur orarin për të shkuar për të kërcyer tek Folie, lokal i frekuentuar nga DJ nga e gjithë bota. “Për një periudhë kohe kam jetuar në Itali sepse ish i fejuari im ishte nga Frosinone, dhe ju siguroj që diskotekat shqiptare janë shumë më të bukura se ato italiane”, thotë plot krenari Melisa, e cila mendon të hapë në Tiranë një qendër terapeutike të sajën, sapo të përfundojë shkollën. Ndërkohë, dëfren dhe kërcen deri në mëngjes.

Kontakti i parë i shqiptarëve me turizmin qe shkatërrues. Të dalë nga izolimi, u rrëmbyen nga frenezia e ndërtimeve të cilat transformuan disa nga zonat më të bukura të jugut, si Saranda. Por qeveria e re ka vendosur të ndryshojë drejtim. Shembull është Vlora, gjysma e së cilës është rrafshuar nga buldozerët dhe rindërtuar me pallate moderne dhe një shëtitore përgjatë detit. Shpejt do të rikualifikohet dhe gjysma tjetër.

Operatori më i madh turistik, Alpitour, nga ky vit ka nisur dy ture “Francorosso”: njëri eksploron malet dhe fjordet e veriut, ndërsa tjetri prek qytetet Unesco të jugut, siç është Berati “me njëmijë dritare”, dhe Gjirokastra antike e përshkruar në romanin “Qyteti i gurtë” i Ismail Kadaresë. “Besojmë se ekzistojnë mundësi të mëdha”, thotë Bruno Sgobba, menaxher i Aliptour, i cili shpjegon sesi aktivitetet turistike favorizohen nga një taksë prej 6% dhe një kosto pune dhe energjie ndër më të ulëtat në Kontinentin e Vjetër. Flukset rriten me 15% në vit dhe çdo vit vijnë 4.3 milionë pushues, shumica gjermanë, austriakë, polakë, çekosllovakë, kinezë.

Operatorët turistikë ndërkombëtarë e kapin fluturimthi mundësinë për të blerë toka shtetërore me kosto zero, por ministrja e turizmit, Milva Ekonomi, nënvizon se “projektet duket të kenë një impakt të ulët mjedisor”. Është duke përfunduar autostrada që do të përshkojë vendin, si edhe po punohet për dy aeroporte të tjerë përveç atij të Tiranës, duke rikualifikuar kështu dy ish aeroporte ushtarakë.