Transmetuar më 08-07-2017, 20:00

Një kameraman që po filmonte një çift të sapomartuarish me dron në “Lungo Maren” e Vlorës kur është zhdukur në një pusetë. Lajmin e bën të ditur vetë ai, duke dërguar videon te “Nisma Thurje”. Ai shkruan se ra në pusetë i tëri, pasi ato nuk kanë kapakë. Kameramani, ka lënë edhe një mesazh.

“Përshëndetje Nisma. Unë që po ju shkruaj jam një nga tre çunat që duken në video në krahun e majtë të çiftit. Isha duke xhiruar me dron dhe duke ecur mbrapa rashë në pusetë (siç duket qartë në video). U vrava te këmba e krahu por më ruajti Zoti se aty kishte hekura.

Edhe pse jam i gjatë, u mbulova i tëri në ujë dhe telefoni e telekomanda e dronit më mbetën aty. Ishte më shumë se 120 cm ujë dhe ju siguroj që nëse do kishte rënë një fëmijë, do të ishte mbytur aty.

Si ka mundësi që të jenë kaq të papërgjegjshëm këta që drejtojnë? Si inaugurohen e hapen këto sheshe kur ka gropa që mund të të marrin jetën dhe asnjë sinjalistikë? Po sikur të kishte rënë ndonjë fëmijë? A nuk u mjaftoi një jetë që e morën për shkak të këtyre gropave?”, përfundon mesazhi.