Transmetuar më 07-07-2017, 20:29

Takimi historik i ditës së sotme në kuadër të samitit të G20 në Hamburg të Gjermanisë, mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin ka rezultuar i frytshëm.

SHBA dhe Rusia kanë rënë dakord për një armëpushim në Sirinë jugperëndimore, i cili do të hyjë në fuqi mesditën e 9 korrikut në Damask.

Është ky njoftimi i bërë pasditen e sotme nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke folur pas takimit të Putin dhe Trump.

Nga ana e tij sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson duke folur nga Hamburgu, deklaroi se “Kjo është shenja e parë që SHBA dhe Rusia mund të bashkëpunojnë shumë mirë për çështjen e Sirisë”.

Ai bëri me dije se dy liderët patën një diskutim të gjerë për Sirinë dhe duket se

Presidenti sirian, Bashar Al Assad do të lërë pushtetin shumë shpejt.

Tillerson nënvizoi më tej se mënyra se si Assad do të largohet, kjo nuk është ende e qartë. /a.y/noa.al