Transmetuar më 07-07-2017, 15:37

Tiranë, NOA.al- Kthjellimet do të dominojnë zonat bregdetare dhe të ulëta ndërsa vranësira kalimtare do të ketë në zonat malore veriore deri në mesditë kur pritet shtim i vranësirave dhe rrebeshe afatshkurtra shiu, në këto zona. Orët e pasdites, do të mbeten me kthjellime në gjithë ultësirën perëndimore ndërsa kthjellime dhe vranësira kalimtare do të ketë në zonat malore lindore.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit sjellin një rritje të lehtë në të dy vlerat ekstremale ditore duke bërë që termometri të ngjitet maksimalisht në 37º C.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi deri 24 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke gjeneruar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Europa

Rajoni i Balltikut dhe Europa verilindore dominohen nga vranësira dhe shira të herë pas hershëm. Po ashtu, Veriu i Spanjës dhe zona e Alpeve të Europës paraqiten me mot kryesisht të vranët dhe shira të përkohshëm. Ndërsa kthjellime dhe temperatura të larta do të dominojnë Europën Jugore, kryesisht Juglindjen e kontinentit Europian. /a.y/noa.al