Transmetuar më 06-07-2017, 15:02

Forcohet qarkullimi i masave ajrore Afrikano-Veriore duke diktuar në territor kthjellime dhe temperatura të larta. Mesdita sjell vranësira kalimtare në zonat veriore dhe verilindore duke u rrezikuar nga rrebeshe të përkohshëm shiu.

Pasditja dhe deri mëngjesin tjetër, do të vijojnë me mot të kthjellët në gjithë ultësirën perëndimore por vranësira kalimtare do të ketë herë pas here në zonat verilindore dhe juglindore të vendit.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të rriten ndjeshëm gjatë mesditës duke bërë që qytetet Tiranë, Elbasan, Kuçovë, Fier, Berat dhe Gjirokastër të shënojnë vlera mbi 36 gradë C.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 22 km/h nga drejtimi veriperëndimor për pasojë në brigjet detare do të ketë dallgëzim 1 – 2 ballë.

Europa

Masat ajrore të thata e të nxehta nga Veriu i Afrikës do të shtojnë ndikimin e tyre në pellgun e Mesdheut dhe gadishullin e Ballkanit duke diktuar mot të kthjellët dhe temperatura të larta.

Po ashtu, kryesisht me kthjellime por edhe vranësira kalimtare paraqiten kushte atmosferike në vendet Nordike. Gadishulli Iberik, një pjesë e Europës Qendrore dhe Lindore, do të dominohen nga vranësira dhe shira të herë pas hershëm dhe shpesh në formë rrebeshi. /b.l/noa.al/