Transmetuar më 05-07-2017, 18:19

Ligji për gjuhën shqipe do të përgatitet këto tre muaj, konkretisht para zgjedhjeve lokale, dhe do të dërgohet për miratim në Parlamentin e Maqedonisë. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeminsitri Bujar Osmani ndërsa prezantoi bashkë me kryeministrin Zoran Zaev planin për reformat e qeverisë së re të Maqedonisë.

“Nga qeveria do të përgatitet ligji për shqipen i cili më pas shkon në Parlament dhe në Komisionin e Venedikut”, tha Osmani. Deklarata se ligji për gjuhën shpipe po përgatitet vjen pasi më herët partitë shqiptare kërcënuan se do të kërkonin mocion mosbesimi për qeverinë e Zoran Zaev në shtator, nëse nuk miraton ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

Zyrtarë të lartë partiak të BDI-së deklaruan dy javë më parë se ky nuk ishte presion, por kushti kryesor që partitë shqiptare i vendosën LSDM që të vinte në pushtet. Përfaqësuesit e partive shqiptare shprehën dyshimin se Zaev po tenton që të shtyjë miratimin e ligjit për gjuhën shqipe deri në mbarim të zgjedhjeve lokale. Por ky dyshim është hedhur poshtë nga numri dy i qeverisë Osmani, i cili deklaroi se ligji do të dërgohet për miratim para zgjedhjeve lokale.