Transmetuar më 05-07-2017, 15:19

Klubi katalanas, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit, njoftoi arritjen e marrëveshjes me sulmuesin 30-vjeçar për rinovimin e kontratës deri më 30 qershor të vitit 2021.

Barcelona informoi gjithashtu se Messi do të firmosë kontratën e re në javët në vazhdim, kur ai t’i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Në komunikatën e Barcelonës nuk përmenden detajet e kontratës së re të Lionel Messit, por sipas asaj që publikohet në median spanjolle, ajo do të shoqërohet me një rritje të klauzolës në 300 milionë euro.

Lionel Messi u transferua te Barcelona në vitin 2000, kur ishte vetëm 13 vjeç, dhe në harkun e një kohe të shkurtër u kthye në idhullin e tifozëve.

Me Barcelonën, Messi ka mundur të fitojë 30 trofe në total. Në aspektin individual, ai është 5 herë fitues i “Topit të Artë”, ndërkohë që 4 herë ka fituar “Këpucën e Artë”. Messi është në të njëjtën kohë edhe shënuesi më i mirë në historinë e Barcelonës, me 507 gola në 583 ndeshje.