Transmetuar më 04-07-2017, 15:16

Kryeministri Edi Rama u bënë ftesë gjithë qytetarëve shqiptarë që duan të punësohen në administratën e re, atë që do krijohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit, se ku të drejtohen.

Në kuadër të nismës “Shqipëria që duam”, ai informon se të interesuarit mund të shkruajnë në adresën [email protected].

Rama deklaron se kush e ka një shkollim të besueshëm, jashtë a brenda vendit, një eksperiencë të suksesshme, jashtë apo në Shqipëri dhe ka brenda vetes ndjenjën e tërheqjes drejt fushëbetejës së këtij mandati të ri, për të bërë shtet me punë e mirëqenie, të mos ngurrojë ta shprehë interesin e tij në adresën e lënë.

Ai shprehet se skuadra e tij e shënimeve do të sigurojë vendosjen e kontaktit ndërsa thotë, “Pa hë njëherë, të presim e të shohim”.

Rama thotë se sot mori një shprehje interesi, e treta prej disa ditësh, prej një individi me kredenciale mbresëlënëse në aktivitetin jashtë Shqipërisë.

Ai thotë se i interesuari është prind i një djali të vogël, studime të kryera në Shtetet e Bashkuara, eksperiencë në disa misione të Bankës Botërore e më pas në Europë, pranë një kompanie me emër.

“Më shprehu gatishmërinë për të kontribuar me dijet e me eksperiencën e vet për Shqipërinë që duam, duke thënë se besoj ky është momenti që mund të provoj të bëj diçka për këtë vend! Sepse dua që sidoqoftë, nesër mos të ngre supet përpara tim biri, kur të më pyesë po ti bëre gjë për vendin tënd(?)”, shkruan Rama.

Ai shton se, jo në të treja rastet, të interesuarit punonin jashtë, por asnjë prej tyre nuk kishte punuar ndonjëherë në shtet dhe në punën e tyre janë njerëz të suksesshëm.

"E di që ky është edhe rezultat i inspirimit të fushatës kuqezi, i fitores entuziazmuese për shumëkënd, shprehet Kryeministri, e thënë ndryshe, nëse fushata është poezi dhe qeverisja prozë, jemi ende në vazhdën e poezisë".

Po megjithatë bindja e këtyre njerëzve se ky është momenti i duhur për të provuar, duke u bërë pjesë e një përpjekjeje të re, sipas Ramës, ishte e lexueshme qartë në fjalët e tyre të mirëartikuluara.

Kreu i qeverisë deklaron se, duke qenë se këto tre raste ndodhën krejt rastësisht për të, me tre individë që e gjetën vetë rrugën për të kontaktuar, por shpreh bindjen se me siguri ka edhe të tjerë njerëz me këtë mendje.

Të cilët siç thotë Rama, mund të duan të përfshihen por nuk dinë se si, nuk besojnë që mundet t’i dëgjojë kush apo thjesht u vjen e vështirë të kërkojnë rrugën e kontakteve të duhura.

“Për këtë qëllim, them se mund t’u vlejë adresa [email protected] për të shprehur, duke nisur nga sot e në vijim, interesin e tyre. Siç e bëra publike dje, në fjalën përpara grupit të ri parlamentar të shumicës, ne do të angazhohemi seriozisht në rritjen e cilësisë së kapitalit njerëzor në dispozicion të shtetit; jo vetëm në nivel qendror po edhe në nivel qarku. Për këtë do të bëhen edhe shpalljet publike në çdo qark, po do të hapet edhe një seksion i posaçëm i Platformës së Re të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, Shqipëria që duam”, shkruan Rama në Facebook.

Po ndërkohë, ai fton qytetarët që të mos humbin energjinë e madhe të këtij momenti të nxehtë inspirimi për shumëkënd, në vazhdën e fitores së 25 qershorit. /a.y/noa.al