Transmetuar më 29-06-2017, 16:18

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha ka reaguar për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit dhe situatën e krijuar brenda kësaj force politike, duke përfshirë edhe sulmet nga kreut të saj Lulzim Bashës.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Shkëlzen Berisha ka reaguar ditën e sotme në lidhje me debatin që ka shpërthyer në PD. Ai kërkon bashkim dhe jo ndarje dhe sulme ndaj njëri-tjetrit, duke thënë se sot PD nuk ka luks të linçojë njeri.

Mesazhi i plotë i Shkëlzen Berishës:

Të dashur miq. E kuptoj debatin që ka lindur mes nesh për shkak të rezultatit. Kam zgjedhur të mos bëhem pjesë në këtë debat, ndonëse si të gjithë ju kam mendimet e mia. Por nuk i kuptoj dhe nuk i justifikoj dot sulmet, etiketimet dhe fyerjet që i adresoni njeri-tjetrit. Përse është kaq e vështirë të shprehni mendimet tuaja pa ofenduar ata që nuk mendojë si ju? Perse e keni kaq të thjeshtë të zeroni kontributet e demokratëve vetëm pse nuk mendoni njëlloj.

Mendoni se e keni vërtet luksin që me këtë rezultat të linçoni njeri-tjetrin? Keni plotësisht të drejtë të mbani qëndrimet dhe mendimet tuaja, por askush nuk ka të drejtë të shkelë, të mohojë, të ofendojë, të linçojë ata që mendojnë ndryshe nga ju! Kjo nuk është demokratike, kjo nuk është e ndershme, kjo nuk është rruga drejt bashkimit dhe fitores, por rruga drejt përçarjes dhe humbjes.

Kemi ndarë së bashku për 4 vjet opinione dhe qëndrime opozitare! I kemi dhënë me mijëra pëlqime dhe mbështetje virtuale statuseve opozitare të njeri – tjetrit. Jemi respektuar si pjesë e së njëjtës familje politike. Kjo nuk duhet të ndryshojë thjesht dhe vetëm pse sot keni mendime të ndryshme se si dilet nga kriza, sepse në përfundim të saj, e vetmja mënyrë për të dalë të bashkuar, është respektimi i mendimit ndryshe. Askush nuk duhet dhe as nuk meriton të largohet nga shtëpia jonë e tronditur sepse mendon ndryshe. /b.l/noa.al/