Transmetuar më 29-06-2017, 13:28

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Mësohet se dorëheqja e tij është lajmëruar në mbledhjen e sotme të Kryesisë së partisë dhe vjen pas rezultatit të LSI në zgjedhje, me pretendimin që partia të jetë më aktive në opozitë.

Vetë Vasili në orën 14.00 të ditës së sotme, do të dalë në një konferencë për media nga selia e LSI për të shpjeguar arsyet e vendimit.

Pritet që pas dorëheqjes së Vasilit, në krye të LSI të vihet Monika Kryemadhi, e cila aktualisht mban postin e zv.kryetares.

Kryemadhi do të shpallë kandidaturën për postin e kryetares, duke aspiruar vendin që deri para pak kohësh e mbante i shoqi.

Vasili u zgjodh në krye të LSI, pas dorëheqjes së Ilir Metës, i cili u zgjodh si President dhe pritet që më 24 korrik të marrë detyrën e kreut të shtetit. 

Në zgjedhjet e 25 qershorit përtej pretendimeve për të dalë forcë e parë, LSI mori vetëm 19 deputetë. /a.y/noa.al