Transmetuar më 29-06-2017, 13:07

Një ditë pas atentatit ndaj biznesmenit Tofik Hyka, në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi” kanë dalë dëshmitë e para. Në momentin e krimit, 56­ vjeçari ishte në një lokal në shoqërinë e një mikut të tij.

Ky i fundit dëshmoi në polici si dëshmitar okular dhe tha se ishte ulur me Hykën në verandën e lokalit, dhe po konsumonin kafenë e mëngjesit, por shtoi se veprimi i autorëve ka qenë aq i shpejtë sa nuk mundi t’i shohë personat që e plagosën 56­-vjeçarin para syve të tij.

I tronditur, ai tha se nuk mund ta harrojë momentin kur e pa mikun e tij të mbuluar nga gjaku.

“Në ato momente nuk dija ç’të bëja, kërkova ndihmë për ta dërguar në spital”,­ mësohet të ketë thënë ai në polici.

Policia e Tiranës shoqëroi për të marrë në pyetje mbi 20 persona.

Ndonëse ata nuk kanë pranuar të jenë të përfshirë në ngjarje, burime pranë policisë pohuan se kanë dyshime që njëri prej të shoqëruarve të jetë njëri prej agresorëve.