Transmetuar më 29-06-2017, 12:43

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka një njoftim të rëndësishëm për operatorët turistikë të huaj.

Në bazë të ligjit nr. 93/2015 “Për turizmin” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 692, date 05.10.2016, asnjë person nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në territorin shqiptar pa u pajisur me certifikatën përkatëse nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Operatori turistik i huaj, që ofron në paketat e tij vizita turistike në territorin e Republikës së Shqipërisë, ka detyrimin që gjatë vizitës, grupi turistik të jetë i shoqëruar nga një udhërrëfyes turistik i certifikuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Në rast inspektimi, operatori turistik i huaj është i detyruar të paraqesë kontratën e shërbimit të nënshkruar me udhërrëfyesin turistik të certifikuar ose operatorin turistik shqiptar.

Ushtrimi i veprimtarisë së udhërrëfyesit nga shtetas të huaj, pa shoqërimin dhe prezencën e një udhërrëfyesi turistik të certifikuar, dënohet me gjobë 150.000 lekë. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ushtron kontroll dhe merr masat për shkeljet e konstatuara.