Transmetuar më 28-06-2017, 13:36

Gjashtë ekstremistë të të ashtuquajturit Shteti Islamik janë arrestuar falë një bashkëpunimi mes autoriteteve spanjolle, britanike dhe gjermane. Mësohet se ata merreshin me radikalizimin dhe rekrutimin e të rinjve, me qëllim që t’i dërgonin më pas në zonat e konfliktit.

Lajmi është konfirmuar në rrugë zyrtare për mediat ndërkombëtare, ndërsa bëhet e ditur se individët në fjalë ishin mjaft aktivë, si edhe njiheshin për lidhjet e tyre me militantët e ISIS në Lindjen e Mesme.

Gjashtë të arrestuarit përdornin kryesisht rrjetet sociale për të bindur të rinjtë që t’i bashkoheshin kësaj organizate terroriste. Ata kishin krijuar disa faqe interneti ku përcillnin edhe mesazhet e Shtetit Islamik.

Nga gjashtë ekstremistë që përfunduan në pranga, katër prej tyre u arrestuan në Spanjë, një në Britani dhe një në Gjermani, gjë që dëshmon shtrirjen e tyre të gjerë në kontinentin europian.