Transmetuar më 28-06-2017, 07:12

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për fitoren e kandidatit të djathtë në Bashkinë e Kavajës Isa Sakja në një postim në rrjetin e tij social Facebook. Basha shkruan se nga Kavaja heroike e qëndresës, përballjes dhe fitores do të nisë ringritja e Shqipërisë.

“Lajm i mrekullueshëm nga Kryeqyteti i Lirisë dhe Demokracisë: Isa Sakja u zgjodh Kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës! Urimet e mija më të përziemërta qytetarëve të Kavajës për këtë ngadhnjim mbi krimin, korrupsionin dhe terrorin e bandave!

Mirënjohje të thellë demokratëve të Kavajës dhe Kryetarit Sakja për këtë fitore ogurbardhë! Nga Kavaja heroike e qëndresës, përballjes dhe fitores do të nisë ringritja e Shqipërisë. Zoti e bekoftë Kavajën e Lirisë dhe Demokracisë”, shkruan Basha.

Kavaja mësoi sot emrin e kryetarit të ri të Bashkise pas shkarkimit të Elvis Roshit. Ai është Isa Sakja i PD që fitoi me 28 vota më shumë se Dorjan Murati i PS.

Në këtë mënyrë demokratët rikthehen në pushtet në Kavajë pas dy humbjeve radhazi në 2011 dhe 2015.

Rezultati

Dorjan Murati i PS ka 11.127 vota ndërsa kandidati i djathtë Isa Sakja ka 11.155 vota. Kandidati i LSI-se Maksim Kona ka marre 1969 vota, ndërsa të pavlefshme kanë dalë plot 698 vota. Komisionerët kanë gjetur edhe 80 vota të hedhura në kutinë e gabuar, të cilat do të numërohen sot. Megjithatë sipas tyre rezultati nuk ndryshon. /b.l/noa.al/