Transmetuar më 27-06-2017, 21:16

Zgjedhjet e 25 qershorit ishin ilegjitime, vlerëson kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në daljen e sotme për mediat, pas procesit zgjedhor të së dielës, z.Basha i cilësoi zgjedhjet si “triumf të paligjshmërisë”. “Me gjithë përpjekjet që bëmë, me imponimin që i bëmë Edi Ramës duke i hequr gjysmën e qeverisë, blerja e votës u bë masivisht. Me parà të pista droge e korrupsioni, u bë një garë e pabarabartë, ku unë nuk kam ndërmend të konkurroj me të njëjtat mjete. Ajo që ndodhi është triumf i paligjshmërisë”, – tha kreu demokrat.

Ai shtoi se “edhe pse ka pasur oferta për shkëmbim vote me parà, mbi 450 mijë qytetarë refuzuan të shiten”.

Për z.Basha, “këta janë frymëzim për mua për të mos e ndalur projektin tonë”.

“Është e qartë se krimi, bandat, droga, trafikantët e drogave kanë vetëm një pengesë dhe unë, PD e qytetarët e ndershëm të vendit nuk jepemi. Kjo është luftë për të ardhmen që do ta vazhdojmë deri në fitore”, – tha z.Basa.

Ai pohoi se “janë të mashtruar edhe socialistët e ndershëm, sepse mandatet për mazhorancën kanë dalë nga kthinat e krimit dhe bandave”, duke shtuar se “nuk ka gjë të më trishtë sesa shitblerja e votës”. /noa.al/ 

Fjala e plotë

“Nuk mund ta nis këtë komunikim ndryshe, përvecse me falenderim nga zemra, me përulësi, për qindra mijëra qytetarë të vendit që mbështetën, besuan dhe votuan projektin tim e të Partisë Demokratike, për një ekonomi të fortë dhe të neserme të sigurtë.

Ju jam mirënjohës mijëra demokratëve që punuan në një fushatë të lodhshme por energjike, pa u ndalur, ditë e natë, komisionerëve, numëruesve dhe vëzhguesve tanë që me dinjitet dhe kurajo heroike përmbushën misionin e tyre.

Projekti që unë kisha lindi me qytetarët.

I kam në mendjen time të gjithë ata që kam takuar, nga veriu në jug, nga lindja në perendim, dhe i di mirë hallet e tyre.

Jam bërë me ta e kam biseduar, në ditë të vështira, të braktisur paturpësisht nga qeveria që orën e parë.

Kur mbuloheshin nga shiu e balta, kur u mbetej prodhimi pa shitur, kur nuk dërgonin dot fëmijët në shkollë, kur nuk bënin xhiro në dyqanin e vogël, kur kishin mbyllur qepenat prej taksave dhe gjobave, kur kishin humbur një të afërm nga padrejtësia e shtetit, kur kishin mbetur vetëm pasi fëmijët lanë shtëpinë e atdheun për një jetë më të mirë.

Qindra, mijëra qytetarë, prindër, nëna, motra, të rinj e të reja. Shumicën e heshtur të këtij vendi, me të cilën nisa një rrugëtim. Me ata që iu përgjigjen ftesës time për një përmbysje të sistemit, me protestën që bëmë në cadrën e lirisë, ku u bashkuam për 90 ditë e 90 netë me radhë, ku mori jetë ëndrra për një republikë të re.

Unë e di mirë, se ata nuk më kanë pritur, nuk më kanë qarë hallet e skanë hapur zemrat e tyre me mua, sepse bëja mrekulli, apo se kisha me vete një thes me para dhe mund të zvogëloja dhimbjen e tyre.

Nuk më kanë pritur e nuk më kanë besuar vuajtjet, shpresat dhe ëndrrat e tyre, duke bërë kalkulime për interesa pushteti.

E di dhe e kam parë këtë në dritën e syve të njerëzve:

Të gjithë ata që u bënë pjesë dhe që bashkë nisëm një rrugëtim, kishin shpresë, kërkuan shpresë dhe gjetën shpresë tek unë, tek Partia Demokratike, tek projekti ynë.

Por kjo, nuk mjaftoi.

Në zgjedhjet e 25 qershorit dicka tjetër ndodhi.

Me gjithë përpjekjet që unë dhe Partia Demokratike bëmë, me ligjin e dekriminalizimit, me betejën pa kompromis me drogën, me imponimin që i bëmë Edi Ramës duke i hequr gjysmën e qeverisë, me ndërgjegjësimin e partnerëve ndërkombëtarë, sërish krimi dhe paraja e pisët, presioni i shtetit nuk u ndalën.

Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën, duke zhvleftësuar planin dhe projektin, me pagesë për varfërinë e thelluar, për ta bërë më të lehtë këmbimin e saj me të holla. Me para të pisëta droge dhe korrupsioni qeveritar.

Kjo ishte një garë e pabarabartë, por sigurisht një garë ku unë nuk kam ndërmend asnjëherë të konkuroj me të njëtat mjete, e as të ftoj kësisoj qytetarët shqiptarë.

Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, është triumf i paligjshmërisë. Me të vërtetë, unë dhe Partia Demokratike morëm një rezultat zhgënjyes.

Por ndonëse sic e dimë të gjithë, shumë shqiptarë kanë qenë nën ofertë për ta këmbyer votën e tyre me para, megjithatë mbi 450 mijë qytetarë refuzuan, vendosën të ecin përpara me dinjitet, duke besuar në vlera e parime qytetare dhe europiane drejt të cilave ne aspirojmë të shkojmë.

Qindra mijëra shqiptarë që refuzuan të shiten, janë një frymëzim për mua, për demokratët dhe qytetarët e ndershëm, që jo vetëm të mos e ndalim projektin tonë, por të ecim përpara me më shumë energji, kurajo dhe vendosmëri.

Eshtë e qartë si drita e diellit, se krimi, bandat, droga, trafikantët e votave e të dinjitetit njerëzor, kanë vetëm një pengesë, vetëm një rezistencë. Dhe unë, e Partia Demokratike, së bashku me qytetarët e ndershëm të vendit, nuk jepemi. Kjo është një luftë për jetë a vdekje për vendin, për njerëzit, për të ardhmen, një luftë që ne kemi ndërmend ta vazhdojmë deri në fitore.

Sigurisht, nuk fus në një thes socialistët apo të majtët e ndershëm që vazhdojnë të mbështesin partitë e tyre. Po ata njësoj janë të mashtruar e tradhëtuar sepse mendojnë gabimisht se janë shumicë, kur në fakt mandatet për mazhorancën nuk kanë dalë prej tyre, por prej korridoreve të pisëta të pushtetit dhe kthinave të krimit e bandave.

Nuk kanë asgjë për të gëzuar ata që festojnë sot mbi këtë maskaradë që ka ndodhur. Nuk ka gjë më të trishtë se blerja dhe shitja e votës. Kjo vërtet mund ta mbajë një parti në pushtet, por një komb, një vend e ndan një herë e mirë nga civilizimi dhe e con në honet e errëta të atyre vendeve e kulturave që nuk kanë lidhje me lirinë, me vlerat me të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor.

Ne këtë nuk do ta lejojmë. Unë nuk do ta lejoj.

Qoftë dhe vetëm për këtë, ia vlen të luftosh deri në fund. Kam reflektuar thellë këto tre ditë.

Unë marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin.

Tani demokratët dhe shqiptarët meritojnë një bilanc të plotë dhe ballafaqim të hapur e të vërtetë, mes atyre që punuan me mish dhe me shpirt për fitoren e Partisë Demokratike dhe atyre që u ngritën kundër sapo humbën kolltuqet.

Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar nuk e përcaktoj unë, por këtë nuk mund ta përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë Demokratike.

Këtë do ta përcaktojnë demokratët.

Për këtë arsye, me efekt të menjëhershëm kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mija organizative si Kryetar i Partisë Demokratike dhe tua delegoj ato dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, për të organizuar me fuqi të plotë vendimmarrëse garën për kryetarin e Partisë Demokratike sipas parimit një anëtar një votë.

Unë kam një projekt dhe projektin tim do ta debatojnë dhe vlerësojnë demokratët në një debat dhe garë të hapur, të ndershme e të barabartë.

Gjëja më e lehtë për mua do të ishte të largohesha.

Por unë e di se çfarë ka ndodhur dhe jam i vendosur të mbaj përgjegjësi.

Jo duke ikur, jo duke braktisur demokratët dhe qindra mijë shqiptarë, por duke luftuar deri në fund, për ta dhe me ta.”