Transmetuar më 27-06-2017, 19:29

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama foli për herë të parë për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e 25 qershorit. Në një takim falenderues në sheshin “Skënderbej”, ku të pranishëm ishin përfaqësues të PS dhe simpatizantë të saj, Rama deklaroi se vota e qytetarëve është domethënëse, dhe ata kanë thënë se Shqipëria është e të majtëve dhe e të djathtëve.

Për kryesocialistin, puna e qeverisë në mandatin 4-vjeçar do të jetë për të gjithë shqiparët, pavarësisht bindjeve politike.

"Na kanë thënë të gjithëve, Shqipëria që duam është me të majtën dhe të djathtën, eshtë e qytetarëve. Misioni i të zgjedhurve është puna për Shqipërinë dhe mirëqenia për shqiptarët. Populli ka zgjedhur PS-në për ta udhëhequr vendin në këtë mision si fuqi e vetme qevrisëse. Dhe duke e pranuar me emocion dhe me përulësi këtë zgjedhje ne do qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë, jo me shembullin e forcës. Sfidat nuk janë sfida socialiste apo demokrate, por sfida shqiptare, të vjetra e të reja, të të njëjtit atdhe, nën të njëjtin flamur kombëtar, për famijët etj, ku jemi lindur jo të majtë e të djathtë, jo të ndarë në tanët dhe atyre, por të njëjtë në gjak, thjeshtë shqiptarë”, ishin fjalët e Edi Ramës.

Ai tha më tej se nuk do t’i konsiderojë si humbës ata që nuk fituan në këto zgjedhje, por se edhe për ta ka nisur një sfidë e madhe.

“Duke u përulur përpara të gjithë atyre që na zgjodhën, qytetarëve socialistë, domokratë, pa parti, burra e gra, djem e vajza, por duke falenderuar gjithë ata që e kryen detyrën për pjesëmarrje në zgjedhje, u them se fitorja është e Shqipërisë. Ndërsa e jona, e të zgjedhurve të tyre është vetëm barra e madhe e përgjegjësisë. Na dhanë votën për ta çuar tepsinë për skrap njëherë e përgjithmonë. Mos qenë e thënë që konkurrentët tani t’i shohim si armiq të mundur dhe ti trajtojmë si të tillë. Ata nuk kanë humbur një kampionat, por kanë marrë një detyrë aspak të lehtë”, deklaroi Rama.

Kryetari i partisë më të madhe, shfrytëzoi këtë takim për të falenderuar publikisht kreun e demokratëve, Lulzim Basha, i cili sipas tij në 18 maj vendosi Shqipërinë të parën.

"Dua që marrëveshja me Lulzim Bashën të shërbejë si busull në katër vitet e ardhshme. Dua ta falenderoj Bashën, sepse në 18 maj vuri Shqipërinë të parën”, tha Edi Rama. 

Kryetari i PS-së foli edhe për procesin zgjedhor ku tha se, edhe pse pati probleme, shqiptarët votuan të çliruar. /k.k/noa.al/