Transmetuar më 27-06-2017, 18:47

Zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor do të kenë një mbështetje të re nga Bashkimi Europian. Komisioneri i BE-së për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn dhe Drejtori i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) Michael Georg Link, lançuan sot projektin më të ri që ka për qëllim forcimin e procesit zgjedhor në këto vende.

 Ky projekt është tre-vjeçar dhe do të zbatohet nga ODIHR. Synimi është të mbështesë vende si Shqipëria, Bosnje Hercegovina, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë, në përpjekjet e tyre për të ndjekur rekomandimet e vëzhgimit të zgjedhjeve në fushat që lidhen me menaxhimin e tyre, regjistrimin e votuesve dhe sjelljen e mediave gjatë fushatave elektorale.

Buxheti i përgjithshëm i këtij buxheti është 1.6 milion euro dhe bashkëfinancohet nga BE-ja dhe ODIHR.

“Marrëveshja e nënshkruar sot demonstron angazhimin tonë të fuqishëm për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Me këtë mbështetje për zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor, Komisioni mbetet i fokusuar në bazat e para në procesin e zgjerimit dhe në vlerat që e mbështesin atë. Demokracia dhe besueshmëria dhe stabiliteti i organeve të zgjedhura varen qartë nga proceset zgjedhore të lira dhe të ndershme, për të cilat ODIHR jep një kontribut kyç”, tha Eurokomisioneri Hahn.

Ndërkohë, drejtori Link deklaroi se projekti europian synon krijimin e një standardi të ri zgjedhjesh në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në kuadër të këtij projekti, Zyra jonë do të intensifikojë përpjekjet për të nxitur ndjekjen e rekomandimeve elektorale me qëllim që zgjedhjet të zhvillohen më tej në përputhje me angazhimet e OSBE dhe detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike”, tha drejtori Link.

Bashkimi europianm, prej vitesh është investuar në proceset zgjedhore të vendeve të Ballkanit. /k.k/noa.al/