Transmetuar më 27-06-2017, 17:31

Kandidati i LSI për Tiranën, Klevis Pajana, i cili renditej i gjashti në listë ka reaguar në lidhje me rezultatet që dolën nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Ndonëse  ai nuk arriti të siguronte votat për të fituar mandatin, Pojana falënderoi gjithë bashkëpunëtorët por edhe qytetarët që e mbështetën atë dhe forcën e tij politike. Mes të tjerash kandidati për deputet nuk e ndali as sulmin për Partinë Socialiste, ndërsa theksoi se litari i bukës doli më i fortë.

“Ndoshta ishte herët që në këtë vend të votohej lirisht e ndershmërisht pa blerje votash, pa dhunë e pa kërcënime për bukën e gojës! Ndoshta është e vërtetë! Nga çdo mënyrë që shpiku njeriu për të nënshtruar njeriun, litari i bukës doli më i forti! Krenar për qindra e mijëra të rinjë që i dhanë jetë, grintë dhe krah LSI! Ishit gjeneruesit e fushatës më të bukur të bërë ndonjëherë në Shqipëri”, shkruan ndër të tjera Pojana.

Mesazhi i Pojanës

Faleminderit! Për Ju që besuat, punuat, qëndruat dhe sakrifikuat kam nga zemra vetëm falenderime! Qëndruam krah parimeve, moralit dhe vlerave në një fushatë model për një Shqipëri më të mirë! Zotit i lutem për begati dhe mbarësi për Shqipërinë dhe familjet e çdo shqiptari! Beteja për demokraci funksionale do vazhdojë dhe e ardhmja do ti takoj patjetër të rinjve! Ndoshta ishte herët që në këtë vend të votohej lirisht e ndershmërisht pa blerje votash, pa dhunë e pa kërcënime për bukën e gojës! Ndoshta është e vërtetë! Nga çdo mënyrë që shpiku njeriu për të nënshtruar njeriun, litari i bukës doli më i forti!

Krenar për qindra e mijëra të rinj që i dhanë jetë, grintë dhe krah LSI! Ishit gjeneruesit e fushatës më të bukur të bërë ndonjëherë në Shqipëri! E ardhmja s’do të jetë e zymtë, jam i bindur! E keqja nuk mund të mbizotërojë gjatë mbi të mirën dhe përballë të keqes unë do jem gjithmonë opozitë! LRI do të shkëlqej, ka në të rini të jashtëzakonshme që e duan këtë vend dhe e duan të ardhmen! Mjerë kush mendon se ne perënduam, nesër qielli do të shkëlqej më fort se kurrë e kushdo do mund të ndajë më mirë shapin nga sheqeri! Oligarkitë kanë jetuar e janë forcuar dhe më parë por gjithmonë kanë pasur të njëjtin fund, humnerën!

Dhe diçka për Tiranën dhe njësinë 8 ku punova me shpirt bashkë me një grup të shkëlqyer! I barabartë mes të barabartëve ja dolëm që në Tiranë të ishim siç dhamë fjalën njësia më e mirë për LSI dhe kurrsesi nuk mund të zhgënjehemi nga një rezultat i fabrikuar paraprakisht në zarfe të bardhë mbushura me para nga të zeza! Gjeta mes jush, njerëz me halle shumë, të cilët i kam e do ti kem miq se jeta! Njerëz me virtyte e me zemër të madhe, të cilët duan zgjidhje për varfërinë që u është shtruar në tryezën e vjetruar e që mban sipër veç një tepsi boshe!

Njerëz që u lexon në sy probleme nga më të ndryshmet, të cilët duan dhe meritojnë një shans më shumë e më të mirë për të nesërmen! Më pritët e më nderuat si djalin tuaj e këtë borxh do jua kthej me shpirt me gjithçka mundem! Të jem zë nga zëri juaj është e do të jetë misioni më fisnik që kam zgjedhur në jetë! Lodhjen, netët pa gjumë, trokitjet derë më derë, dorështrëngimet e sinqerta, punën e pandalshme ne do ta vazhdojmë sepse qëllimi ynë në politikë nuk janë thjeshtë disa numra votash apo mandatesh!

Është shumë më shumë se kaq, është përfaqësim, solidaritet, miqësi, ndjesi, vlerë, zhvillim, progres, integrim! E majta, vlerat e së cilës janë gdhendur e gjenden më shumë se kudo tjetër në LSI është barazi sociale, qasje liberale, progres, është mbi çdo gjë tjetër solidaritet! Këtë solidaritet do të punojmë çdo ditë ta implementojmë në shoqërinë shqiptare! Forca jonë e pashtershme buron nga rinia, forcë e jashtëzakonshme, forcë e pandalshme, forcë e pavdekshme!