Transmetuar më 27-06-2017, 16:34

Mungesa e përfshirjes aktive në fushatë të aleatëve të Partisë Demokratike, për kryetarin republikan Fatmir Mediu është një ndër faktorët e humbjes së opozitës në zgjedhjet parlamentare. Mediu gjithashtu kritikon vendimin e Bashës për të personalizuar fushatën dhe për të lënë jashtë saj figurat historike të Partisë Demokratike. 

"Ajo që mungoi ishte fryma e një opozite funksionale. Ishte një drejtim vetëm PD-ja, do t’ja them z.Basha, do t’ja them z.Berisha, për fatin e keq memoria historike në Partinë Demokratike është shumë e dobët. Është si një magazinë pa një inventar. Mustafaraj është një aset i PD, duke ardhur në fushatë, duke bërë fushatë për PD pa pasur interes specifik të vetin.

Por sa të tjerë ka që duhet të ishin bërë pjesë aktive e fushatës elektorale? Për fatin e keq ideja e krijimit të kësaj idesë brezat e rinj, brezat e vjetër, krijon një lloj konflikti që krijon një lloj përjashtimi", u shpreh Mediu gjatë një interviste në TvKlan.

Kreu i Republikanëve ka rezerva edhe për marrëveshjen e Bashës me kryeministrin. Për Mediun qëndrimi në opozitë sjellë reformimin e Partisë Demokratike duke nisur që nga kryetari i saj. Fatmir Mediu është kategorikisht kundër përfshirjes së opozitës në qeverinë që do të prodhojnë zgjedhjet e 25 qershorit. “Kastastrofale qeverisja me Ramën, le vendin pa opozitë, pasi LSI është e majtë", shtoi ai. /b.l/noa.al/