Transmetuar më 27-06-2017, 15:54

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako doli në një deklaratë për mediat ditën e sotme, duke bërë një bilanc të punës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por dhe të fushatës elektorale.

“Mbi 7 mijë efektivë policie u angazhuan për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në total edhe në fushatën elektorale u angazhuan 12 mijë e 312 efektivë. U regjistruan 69 vepra që cenonin zgjedhjet e lira. 87 persona janë proceduar për krime elektorale, 13 të arrestuar”, tha Çako.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit foli edhe për situatën në Kavajë, ku po numërohen edhe votat për kryetarin e ri të bashkisë për të cilin u votuan po gjatë së dielës. “Policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen pa probleme deri në fund të këtij procesi edhe në Kavajë”, tha Çako.

Çako i ka dhënë përgjigje sot edhe faktit se pse nuk e zbatoi urdhrin e ministrit të Brendshëm Demiraj, i cili kërkoi shkarkimin e 3 shefave të komisariateve të policisë në rajonet, ku kanë ndodhur incidente gjatë fushatës zgjedhore (Pukë, Dibër dhe Gramsh).

“Për kërkesën lidhur me tre shefat e policisë, konkretisht Pukë, Dibër dhe Gramsh, pas verifikimeve të bëra nga drejtoria e standardeve rezultoi se shefat kanë kryer detyrën konform ligjit dhe nuk kanë bërë asgjë në shkelje të ligjit”, tha Çako.

Duke dhënë të tjera detaje nga angazhimi i policisë ai tha: “Në zbatim të urdhrit të ministrit të Brendshëm, lidhur me vëzhguesit e OSBE u sigurua mbarëvajtja e procesit. Nga strukturat e policisë së Shtetit u përballua ngarkesa e punës, duke mbuluar mbi 2000 qendra votimi.

Gjatë të gjithë aktiviteteve nuk u evidentua asnjë aksident. U siguruan masat e lëvizjeve të figurave shtetërore, ndërsa nuk u konstatua asnjë incident”, tha Çako. /b.l/noa.al/