Transmetuar më 27-06-2017, 14:58

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ngelur në klasë procesin zgjedhor. Teksa renditi të gjitha parregullsitë që e shoqëruan, Vasili i vlerësoi zgjedhjet me notën 2. Deklaratën Vasili e bëri nga KZAZ në njësinë 5 në kryeqytet, ku tha se LSI ka shënuar një rritje.

“Klima, strategjia e terrorit, qarkullimi i pafund i parave të pista, përfshirja në këtë proces të fëlliqur edhe i deputetëve në mënyrë të drejtpërdrejtë bën që nga 1-10 siç më thatë për zgjedhjet nota ime të jetë 2. Shqetësimet i kemi ngritur, janë përcjellë në të gjitha instancat ndërkombëtare në gjitha nivelet deri në Uashington, do vazhdojë ky proces që ka shumë fakte. Është një sistem politik që dëmton çdo shqiptar jo vetëm një forcë politike”, u shpreh Vasili.

Më tej kreu i LSI theksoi se janë rezervuar vetëm ditën e zgjedhjeve për të mos shqetësuar qytetarët. “Do kemi pozicion të hekurt, bëhet fjalë për integritetin e Shqipërisë dhe sistemin e saj politik me të cilin nuk mund të luhet.

Fatkeqësisht ka pasur një rol tërësisht të munguar të opozitës shqiptare, është në zgjedhjen e saj si duket ka pasur një natë më të lumtur dhe më të ëmbël seç duhet me 17 maj dhe ky gjumë mund të rrezikonte shumë Shqipërinë. Ne jemi këtu në këtë rol dhe idealist për vendin dhe shumë të motivuar pasi sot është dita dhe nesër është vonë”.