Transmetuar më 26-06-2017, 20:40

Ministria e Jashtme e Greqisë ka publikuar një deklaratë më anë të së cilës shprehet kundër ndërtimit të sheshit “Skënderbej” në Tiranë. Në qëndrimin e diplomacisë greke, thuhet se ky është një projekt irredentist, ndërsa dënon faktin se në të janë vendosur edhe gurë nga Filati.

“Ne dënojmë vendosjen në sheshin kryesor të rinovuar të Tiranës, të gurëve që vijnë nga zona të ndryshme të Ballkanit, duke përfshirë edhe zonën greke të Filatit. Këta gurë, në të cilët janë gdhendur emrat e zonave të prejardhjes së tyre, kompozojnë atë vepër që simbolizon ‘bashkimin e trojeve shqiptare’, dhe është e qartë pse bëhet fjalë: për një veprim qeveritar që kultivon dhe fsheh irredentizmin”, thuhet në deklaratë.

Por, ministria e Jashtme shkon edhe më tej duke nënvizuar se “kjo është një tjetër sfidë nga Qeveria shqiptare, e cila minon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”. /k.k/noa.al/