Transmetuar më 26-06-2017, 13:57

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka dërguar një mesazh të gjithë numëruesve dhe komisionerëve që prej orësh me radhë po merren me numërimin e votave.

Kreu i PD, forca politike e së cilit deri më tani rezulton humbëse, pretendon se numërimi po bëhet nën presionin e kundështarëve.

Ai kërkon që të mos lejohet asnjë deformim apo tjetërsim i votës, duke nënvizuar se çdo votë vlen.

Ndërsa për demokratët, thotë se janë shembulli i lartë i i kurajës qytetare e politike.

Mesazhi i Lulzim Bashës

“Të dashur komisionerë, numërues dhe vëzhgues të PD: Numërimi i votave vazhdon në kushte të vështira për ju, të orëve të gjata, të vapës dhe nën presionin e kundërshtarëve.

Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për të garantuar numërimin deri në fund të çdo vote.

Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit. Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund.

Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajos politike dhe qytetare. Lulzim Basha”. /a.y/noa.al