Transmetuar më 26-06-2017, 10:08

Një person i akuzuar se ka blerë vota në qarkun e Korçës është vënë në prangat e policisë.

I prangosuri është Pajtim Myrtollari, 55 vjeç, banues në Korçë, me detyrë specialist pranë Drejtorisë së Peshkimit Korçë, koordinator i një subjekti politik .

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës së djeshme, është kapur duke shpërndarë shuma lekësh me qëllim blerjen e votës, deri në 200 mijë lekë të vjetra për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Gjithashtu nga ana e policisë filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj R.D., 61 vjeç, banues në Korçë me detyrë koordinator i një subjekti politik

Procedimi ndaj tij filloi pasi gjatë së dielës, në lagjen nr.6 në Korçë, në automjetin e tij me targa AA240KI, i janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 170 mijë lekësh të vjetra të cilat dyshohen se do përdoreshin për pagesat e zgjedhësve dhe komisionerëve të këtij subjekti.

Lidhur me këto raste materialet i’u referuan Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. /a.y/noa.al