Transmetuar më 25-06-2017, 20:21

Dalin detaje të reja lidhur me sherrin e përfunduar deri në gjakosje në një qendër votimi në Uznovë të Beratit.

Policia e Beratit thotë se në qendrën e votimit në shkollën e Uznovës, punonjës i policisë G.L., 40 vjeç, banues në Berat, jashtë detyrës, ka shkuar për të votuar së bashku me familjen në këtë qendër.

Në momentin kur punonjësi i policisë ka qenë duke pritur në radhë është konfliktuar me 48- vjeçarin Edmond Hoxha, banues në Uznovë, i dënuar para dy vitesh për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Dhuna në familje”, dhe në vitin 2016 është diagnostikuar me probleme psikike.

Në momentin që Hoxha ka parë punonjësin e policisë e ka goditur dhe ofenduar duke i thënë se “pse më ke futur në burg?”, ku më pas janë konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin.

Punonjësi i policisë menjëherë ka njoftuar grupin hetimor të cilët kanë bërë shoqërimin në komisariat të 48-vjeçarit. 

Për mënyrën se si Hoxha është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Berat në kundërshtim me procedurat standarde të punës nga punonjësi i policisë M.L, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat ka bërë pezullimin e këtij punonjësi policie.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e hetimit disiplinor. /a.y/noa.al