Transmetuar më 25-06-2017, 17:01

Policia e Korçës sqaron ndërhyrjen e bërë nga uniformat blu në qendrën e votimit nr 3665/1, me kërkesë të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe bën me dije se është shpallur në kërkim një person.

Rreth orës 14.30 është marrë njoftim nga Komisioni i Qendrës së votimit nr.3665/1, e cila ndodhet tek shkolla 9- vjeçare “Sotir Gurra”, ZAZ 72, se është bllokuar procesi i votimit pasi nga anëtarët e komisionit të qendrës së mësipërme është konstatuar një shtetas i cili po fotografonte votën e tij.

Me vendimin nr. 2 të datës 25.06.2017, të Komisionit të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.

Pas marrjes së vendimit, shërbimet e policisë kanë hyrë në qendrën e votimit ku nga kryerja e veprimeve të para, rezulton se shtetasi E.K., 29 vjeç, banues në Korçë, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek vendi i fshehtë.

Pasi ka kryer veprimet ka bërë fotografimin e fletës së votimit, veprim që është parë nga anëtarët e komisionit. Të riut i është bllokuar nga komisioni, fleta e votimit dhe në këtë moment ky i fundit, menjëherë është larguar nga Qendra e Votimit.

Nga ana e policisë, në konsultim me Prokurorinë e Korçës, u kryhen veprimet e para proceduriale në lidhje me këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tij.

Në vijim thuhet se procesi i votimit në këtë qendër, ka rifilluar normalisht, pas përfundimit të kryerjes së veprimeve proceduriale. /a.y/noa.al