Transmetuar më 25-06-2017, 14:02

Një person në Vlorë ka mbetur i befasuar teksa ka shkuar për të votuar, por ka zbuluar se në emër të tij ishte votuar më parë.

Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, ka filluar procedimin penal mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga shtetasi F.S., 59 vjeç, banues në Vlorë.

Ai tha në polici se rreth orës 09:30 të paradites së sotme, është paraqitur për të votuar në Qendrën e Votimit 4489, e cila ndodhet në lagjen “1 Maji” Vlorë dhe nuk ka mundur t’a ushtrojë të drejtën e votës.

Kjo pasi nga ana e Komisionit të kësaj Qendre Votimi, pas verifikimit në listat e votuesve ka rezultuar se me të dhënat e këtij shtetasi ishte kryer njëherë votimi.

Në lidhje me këtë rast, policia ka kryer veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin e autorëve përgjegjës në lidhje me këtë ngjarje.

Për ndjekje të mëtejshme lidhur me këtë rast materialet i’u referuan Prokurorisë për veprat penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” si dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”. /a.y/noa.al