Transmetuar më 25-06-2017, 11:56

Në stinën e verës rriten temperaturat, rritet dëshira dhe mundësia për të përfituar nga të mirat e kësaj stine, por njëkohësisht rritet edhe rreziku për disa situata që ndikojnë në shëndetin tonë dhe të fëmijëve. Nëse përdoret me zgjuarsi, pra ashtu siç duhet dhe aq sa duhet, apo nëse ekspozimi në diell është i ekuilibruar, Dielli nuk është armik i shëndetit

Të mirat e rrezeve të diellit

Të gjithë ne përfitojmë nga dielli dhe i dimë të mirat e tij. Dielli bën të ndihesh mirë, me humor, ndihmon në prodhimin e vitaminës D, etj. Ekspozimi në diell në masën e duhur është i domosdoshëm për shëndetin.

Vitamina D, e cila prodhohet në lëkurë nëpërmjet ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë B (UVB), rregullon nivelin e kalciumit në gjak dhe është e nevojshme për shëndetin e kockave dhe muskujve. Gjithashtu, për shëndetin e fëmijës dhe për të parandaluar rakitin, janë të mjaftueshme sasi të vogla të rrezeve UV.

Rrezet ultravjollcë mund të përdoren edhe si mjekim, shkruan Shendeti.com. Ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë këshillohet për disa sëmundje të lëkurës si: dermatitis atopik, psoriaza, puçrrat e adoleshencës, etj. Kërkohet gjithnjë këshillimi me mjekun, sepse ai përcakton kohën e ekspozimit në diell etj.