Transmetuar më 25-06-2017, 10:48

Tre persona janë arrestuar ditën e sotme nga policia e kryeqytetit pas zbulimit të një emisioni investigativ në vend ku shfaqeshin duke blerë votën në këmbim të një shume parash.

Në pranga janë vënë: Luan Imeraj, 37 vjeç, Luan Nela, 36 vjeç dhe Arben Marku, 43 vjeç, të tre banues Tiranë.

Këta persona janë arrestuar pasi, nga pamjet filmike të shfaqura në emisionin investigativ “Stop”, ku pasqyrohen veprimet korruptive të shtetasit Arben Marku i cili në këmbim të blerjes së votës jep një shumë monetare, janë kryer hetimet dhe është arritur të dokumentohet me prova ligjore se Luan Nela, përfiton shumën e parave në këmbim të votës.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar gjithashtu se Luan Nela ka pranuar të bëj regjistrimet audio dhe video në këmbim të një vendi pune të premtuar nga Luan Imeraj i cili është edhe përkrahës i një subjekti politik.

Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Korrupsionit pasiv në zgjedhje” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”. /b.l/noa.al/