Transmetuar më 25-06-2017, 10:43

Një përplasje me armë është regjistruar këtë paradite në Shëngjin në ambientet e një qendre votimi.

Disa persona të armatosur ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një personi i cili dyshohet se është aktivist i Partisë Socialiste për Integrim.

Dyshohet se personi i plagosur është identifikuar si Florian Bushku nga mediat dhe pas lëndimeve që ka marrë është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë

Më datë 25.06.2017, rreth orës 10:15 është marrë njoftim se në rrugën kryesore midis shkollës 9- vjeçare Shëngjin dhe lokal "Restorant Detari" në Shëngjin ka  patur të shtëna me  armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar 1 gëzhojë. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka qenë i çastit midis shtetasit F.D. 27 vjeç, dhe personave të tjerë për të cilët po punohet për identifikimin e tyre.

Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë , vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve dhe  rrethanave të ngjarjes. Proçesi i votimit vijon normalisht. /b.l/noa.al/