Transmetuar më 23-06-2017, 21:49

Nga Artan Fuga

Nuk është fare, po fare, e vërtetë që djali apo vajza e një njeriu me të ardhura të pakta, apo që jeton në periferi, pa lidhje miqësore dhe politike, ka të njejtat shanse për shkollim në arsimin e lartë sa edhe djali apo edhe vajza e dikujt që bën pjesë në shtresat me burime të bollshme financiare, me prindër me pozitë, ose me lidhje politike.

Kush thotë të kundërtën nëpër mitingje, ose gënjen ose e kanë gënjyer.

Unë jam i sigurt që kryeministrin e gënjejnë ose ata që ai i ka ngarkuar për arsim, dhe siot kanë dalë për peshk, ose disa lakej që kanë interesa në fushën e arsimit dhe gjithë ditën, për të mbrojtur biznesin e tyre mbështetur te padija, lajnë dhe lyejnë këdo që ka mundësi të vendosi drejtësi dhe t'i bëjë të dalin lakuriq si janë para ligjit dhe moralit, për ta penguar të marri përgjegjësitë e tij.

Këta tipa ose gënjejnë për nevoja elektorale, ose nuk ja kanë haberin fare nga sociologjia e arsimit, çka nuk e dyshoj, ose mbrojnë karrierën e tyre me rrena.

Nëse sistemi i maturës shtetrore formalisht mban parasysh kriterin e notës në orientimin e dëshirave të nxënësve të diplomuar, shpërndarja e tyre në degë dhe fakultete bëhet nga ministria dhe agjencitë e saj në mënyrë krejt opake. Askush nuk ka mundësi nga vetë të rinjtë dhe nga prindërit ose nga shoqëria civile të verifikojë, të kontrollojë, se përse psh nga dy të rinj me ndryshime vetëm me disa shifra dhjetore në rezultate, njerit i plotësohet dëshira për të shkuar në degën e kërkuar, dhe tjetrit jo.

Si mund t'i besohet një vendimmarrjeje burokratike nëse publiku nuk ka mundësi të kontrollojë qartësisht dhe në dritën e diellit këtë shpërndarje që ka lënë fare të pakënaqur me dhjetra mijra të rinj e të reja që e kanë gjetur veten e tyre në profile studimi, të cilat nuk i kanë fare me qef.

Vetëm rregjistrimi i kandidatëve me kriter rezultatet por i kryer pranë fakulteteve ku kërkojnë të shkojnë maturantët e zgjidh këtë problem. Mirëpo logjika e të drejtave të studimit që i nxirrte komiteti ekzekutiv monist i dikurshëm na ka mbërthyer për fyti.

Shteti leviathan kërkon të kontrollojë destinet e njerëzve.

Le të shohim a kanë të gjithë shanse të barabarta për t'u arsimuar.

Kushdo që punon me studentët e di se kjo është një shakà e madhe. Ata me të ardhura të mira shkojnë në shkolla me vetura që as pedagogët nuk i kanë, kurse studentët e varfër nuk kanë mundësi veçse të ndajnë një dhomë me qira në katër vetë, të hanë keq e të ushqehen në mënyrë minimale, duke mos pasur mundësi as të blejnë libra, as të frekuentojnë institucione kulturore madje as të kenë mundësi të marrim formim anësor me pagesë sepse shkolla i ka reduktuar në minimum shërbimet që u bën studentëve.

Për të mos folur për gjuhët e huaja ku prindërit me të ardhura i inicojnë privatisht fëmijët e tyre në zotërimin sado - sido të tyre, ndërkaq që fëmijët e popullit, në shkolla pa laboratore gjuhësh të huaja, mbesin me gisht në gojë.

Dhe fëmijët që jetojnë në periferi, atje ku popullsia është me të ardhura të pakta, kushtet e arsimit i kanë shumë herë më të ulta sesa në qendrat e disa qyteteve. Klasa kolektive, mungesa arsimtarësh, nivel arsimimi i dobët, mungesë laboratoresh dhe aksesi në dijen universale. Janë këta nxënës që të lënë në mëshirë të fatit, pastaj detyrimisht ata do të kenë nota më të këqia.

Sikurse shpjegon Burdië, ose edhe Stiglitz, ose edhe Rawls, nota në këto raste nuk përkthen aftësitë personale të nxënësit që tund letrat e merritës, por tregon parametrat e mbështetjes sociale që u mungojnë fëmijve nga familjet me pak mundësi financiare, në krahasim me ata që kanë të ardhura dhe miq politikë.

Po ku do të dijë pushtetari për Stiglitz, Burdië, Rawls, a dreqin me të birin. I mjaftojnë mitingjet ku bërtitet për gjëra që që të bëjnë të vesh duart në kokë.

A ka kërkuar ndonjë të dhënë zoti kryeministër se sa nga fëmijtë e zyrtarëve të tij të lartë i kanë fëmijët për shkollim jashtë shtetit, dhe sa janë djemtë dhe vajzat e fermerëve në majë të malit që i kanë fëmijët jashtë shtetit për studime?

Po ta ketë këtë të dhënë do të shohi se në sistemin që kemi, aksesi në dije u është rezervuar fëmijëve të atyre me të ardhura ose me pozita politike, duke masakruar popullsinë pa të ardhura.

Sepse nuk ka biblioteka ku aksesi te libri të jetë për të gjithë njësoj.

Palé kur shohim pajisjen e familjeve shqiptare me lidhje interneti dhe me teknologji informacioni, kompjutera, etj. Përtej qendrave të qyteteve sikurse na tregojnë të dhënat e anketimeve tona, familja shqiptare nuk ka mundësira për të pasur lidhje interneti të fuqishme në mënyrë që femijët të marrin njohuri dhe informacione për dijet e sotme. Apo të shohin filma, dokumentarë, etj. Kuptohet që fëmijët e atyre zonave vuajnë nga pabarazi kriminale në raport me fëmijët e shtresave me të ardhura.

Edhe suksesi i tyre në arsimim sigurisht, jo për faj të tyre, është krejtësisht i ndryshëm.

NUK KA PARË ZOTI KRYEMINISTËR STUDENTË QË DERDHIN LOTË SEPSE NUK PAGUAJNË DOT TARIFAT E STUDIMEVE.

Le të marri të dhëna nga universitetet se çfarë heqin administratat për të mbledhur këto të ardhura. Për të mos folur që numri i studentëve në nivel masteri ka rënë në mënyrë drastike.

Vetëm një shkollë vërtet e zhvilluar, me teknologji të lartë, demokratike, mund të zhduki pabarazitë, por ligji për arsimin e lartë është kriminal dhe diskriminues. Nuk mjafton të hedhësh valle me të rinj militantë andej nga Ishulli i Lezhës për të qetësuar ndërgjegjen për dëmet e shkaktuara.

Jo, nuk ka barazi shansesh. Ka diskriminim të rëndë, getoizim urban dhe kulturor, në shtresat e ndryshme të rinisë shqiptare.

Për të mos folur që asnjë punësim nuk bëhet sipas meritës, por sipas lidhjeve politike, miqësore, nepotike dhe parave që paguhen.

Një student i varfër, i rrofshin dhjetat! Me kriteret e punësimit në fuqi, është bullafiqi i mamit dhe i babit që ka miq politikë, i cili punësohet. Edhe shkollën me veturë pas të ndejturave, edhe punësim sipas qefit, pa meritë.

Kjo është e vërteta, që shpjegon se përse ne pedagogët shohim që punët më të mira në Shqipërinë e sotme nuk i marin asnjëherë studentët më të mirë, por ata që pistonohen nga pas prej miqve dhe farefisit.

Bëni fushatë elektorale, mos mos u tallni me fatet e rinisë, me jetën e tyre që lëkundet mizorisht midis vuajtjeve, hipokrizisë dhe padrejtësive sociale që u kanë rënë mbi kurriz.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al