Transmetuar më 22-06-2017, 14:57

Tentohet të rrëmbehet një burrë në Peqin, nga persona të cilët janë prezantuar si policë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, e mërkurë, në fshatin Bishqem, njësia administrative Pajovë.

Persona të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me një automjet tip “Benz” kanë ndaluar një automjet që drejtohej nga 60-vjeçari P.S., banues në fshatin Bishqem, i cili po lëvizte nga një lokal për në banesën e tij.

Në momentin e ndalimit këta shtetas janë prezantuar si punonjës policie dhe dyshohet se kanë tentuar të merrnin me forcë në automjetin e tyre shtetasin P.S.

P.S., ka kërkuar ndihmë ku menjëherë kanë dalë fqinjët e tij, të cilët të alarmuar nga thirrjet kanë dalë. Pas kësaj personat që tentuan ta merrnin me forcë janë larguar me shpejtësi.

Efektivët e policisë të sinjalizuara për rastin janë duke verifikuar dhe bërë veprimet përkatëse, me synim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Burime nga policia i thanë Noa.al se i dëmtuari ka thënë se ka qenë duke u kthyer në shtëpi, duke mohuar çdo implikim politik.

Po ashtu ka treguar se nuk ka qenë në ndonjë takim elektoral, duke u shprehur i befasuar dhe tronditur mbi çfarë i ka ndodhur.

Për ndjekje të mëtejshme lidhur me denoncimin e 60-vjeçarit materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për ndjekje të mëtejshme lidhur me veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë mbetur në tentativë”. /a.y/noa.al

Foto arkiv