Transmetuar më 22-06-2017, 14:38

Zëvendës kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i përgjigjet me kunja ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pas komentit të tij se Ilir Meta e ka përgjuar dhe se është pikërisht ai që blen vota.

Duke publikuar një video në Facebook, ajo i uron suksese në jetë, dhe i thotë Tahirit se do shihen në 26 qershor, një ditë pas zgjedhjeve.

“Përshëndes Saimir Tahirin me këngën “Mos pi mall, bëj palestër”. Suksese në jetë, dhe shihemi më 26 Qershor”, shkruan Kryemadhi.

Ky koment vjen pas reagimit të Tahirit i cili u akuzua nga LSI për blerje votash për Partinë Socialiste në Vorë.

Tahiri akuzon Ilir Metën se po i bie në qafë dhe e akuzon pa bazë.

Ai thotë se Meta i vuri pas një hafije të tij si zv.ministër që sipas tij, arriti deri në çmendurinë e tentativës për të përgjuar zyrën e tij

“Nuk të mjaftoi fakti që unë e lashë detyrën, për të vazhduar të merresh me mua pa pushim! Madje aq i pashërueshëm je në këtë fiksimin tënd kundër meje, sa u lëshove fare edhe kundër Policisë së Shtetit, pasi u zgjodhe edhe President zotrote me votat e Partisë Socialiste. Ke javë të tera që sa ti, sa gruaja jote, sa kryeshërbëtori yt, sa luanët e kotelet e kazanit tënd politik, merreni me mua duke sajuar lloj-lloj idiotësish, për gjoja presione policore e blerje votash!”, tha Tahiri.

Ai nënvizoi se, se kush është tregtari më i madh i blerjes së votave dhe i vendeve të punës në Shqipëri, këtë e di i madh e i vogël.

Tahiri tha se Meta nuk i mbush mendjen dot askujt me rolin qesharak të viktimës së zgjedhjeve që siç shprehet ai, “po e luan si i dalë mendsh, ekran më ekran dhe shesh me shesh”.

Më tej u shpreh se “Me vota Ilir me vota, jo me zarfa, as me iphone, as me miell, as me grurë dhe as me grupe që janë objekt i punës së Policisë së Shtetit për përfshirje në trafiqe të rënda”. /a.y/noa.al