Transmetuar më 22-06-2017, 13:59

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagon ndaj akuzave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, se është angazhuar në fushatë për të blerë vota për Partinë Socialiste në Vorë.

Tahiri akuzon Ilir Metën se po i bie në qafë dhe e akuzon pa bazë.

“Më dëgjo me vëmendje Ilir Meta! U bë një kohë e gjatë që më bie në qafë duke hedhur baltë mbi mua dhe t’a kam thënë në sy kur kishim ende komunikim bashkë se je gabim! Po ti nuk pushove një sekondë në luftën tënde të verbër me mua. Më hodhe në kurriz të gjithë doracët që paguan ne kazanin mediatik të Shqipërisë dhe jo vetë. Pagove para që të nxish Policinë e Shtetit dhe mua personalisht, edhe në media e portale jashtë Shqipërisë”, shkruan Tahiri në Facebook.

Ai thotë se Meta i vuri pas një hafije të tij si zv.ministër që sipas tij, arriti deri në çmendurinë e tentativës për të përgjuar zyrën e tij.

Më tej shton se nuk la mik e partner të Shqipërisë pa i zbrazur baltën e barkut, sa herë e takonin si kryetar Kuvendi.

“Dhe nuk të mjaftoi fakti që unë e lashë detyrën, për të vazhduar të merresh me mua pa pushim! Madje aq i pashërueshëm je në këtë fiksimin tënd kundër meje, sa u lëshove fare edhe kundër Policisë së Shtetit, pasi u zgjodhe edhe President zotrote me votat e Partisë Socialiste. Ke javë të tera që sa ti, sa gruaja jote, sa kryeshërbëtori yt, sa luanët e kotelet e kazanit tënd politik, merreni me mua duke sajuar lloj-lloj idiotësish, për gjoja presione policore e blerje votash!”, thotë Tahiri.

Ai nënvizon më tej se, se kush është tregtari më i madh i blerjes së votave dhe i vendeve të punës në Shqipëri, këtë e di i madh e i vogël.

Tahiri thotë se Meta nuk i mbush mendjen dot askujt me rolin qesharak të viktimës së zgjedhjeve që siç shprehet ai, “po e luan si i dalë mendsh, ekran më ekran dhe shesh me shesh”.

Kryetari i PS për Tiranën deklaron se e di që Ilir Meta do vazhdojë të merret me të dhe thotë se nuk po e poston këtë mesazh qa ai të heshtë, por që ta di se nuk do pushoj asnjë minute deri kur të mbarojë procesi i votimit “që ti dhe kazani yt politik ta merrni atë që meritoni nga Tirana, Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina!”

Më tej shprehet se “Me vota Ilir me vota, jo me zarfa, as me iphone, as me miell, as me grurë dhe as me grupe që janë objekt i punës së Policisë së Shtetit për përfshirje në trafiqe të rënda”.

Në mbyllje thotë se Ilir Meta le të vazhdojë të nxjerrë “kotelet në ballin e kazanit tënd politik, por përgatitu mirë shpirtërisht, që të mos bëhesh për një muaj masazh koke, pas numërimit të votave të qarkut Tiranë”. /a.y/noa.al