Transmetuar më 22-06-2017, 09:44

Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve, kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese parashtrimet dhe argumentet e tyre pas padisë për ligjin e Vetting-ut.

Mbi bazën e këtyre të dhënave, Kushtetuesja do të shqyrtojë edhe padinë e Unionit dhe Shoqatës.

Sot ishte afati i fundit për përfundimin e kësaj procedure, ndërsa ende nuk është caktuar një datë për shqyrtimin e padisë.

Padia konsiston në tre nene specifike të ligjit të Vetting-ut si dhe të disa pikave në dy ligje të tjera bazë të reformës në drejtësi.

Bëhet fjalë për ligjin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe të statusit të gjyqtarëve.

Një nga pikat më delikate të ankimuara, lidhet me kontrollin e figurës së personave të drejtësisë, por gjyqtarët thonë se duke përfshirë në verifikim “edhe persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar” kjo mund të çojë në vendime abuzive të Komisionit të Vettingut.

Kjo situatë ka marrë edhe konotacion politik, ku Kryeministri Edi Rama nuk është kursyer t’i quajë skutha ata që e kanë çuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. /k.k/noa.al/