Transmetuar më 22-06-2017, 09:17

Është ndarë nga jeta ish-portieri i Lokomotivës së Durrësit, Naim Dollaku. Ai u shua në moshën 69-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë kardiake.

Më herët, i ishte nënshtruar edhe ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër.

Dollaku ka qenë një ndër portierët më të suksesshëm shqiptarë.

Naim Dollaku, në moshën 15-16 vjeçare aktivizohet me të rinjtë e Durrësit, duke qenë zbulim i trajnerit te moshave për kohën, Fiqiri Dervishi.

Dollaku ishte aktivizuar 4 vite me të rinjtë, duke u vlerësuar pas një ankete si portieri më i mirë në Shqipëri për këtë kategori moshash.

Ne vitin 1967, në Durrës për 10 muaj erdhi të punojë trajneri i famshëm Loro Boriçi dhe menjëherë e përfshiu Dollakun në ekipin e parë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, Naim Dollaku u rikthye në Durrës pranë Lokomotivës së tij të zemrës dhe luajti si portier i parë. /k.k/noa.al/