Transmetuar më 21-06-2017, 21:10

Gjatë mitingut përmbyllës elektoral në Shkodër, kreu i opozitës Lulzim Basha teksa shpalosi planin ekonomik të Partisë Demokratike, u shpreh se Edi Rama dhe Ilir Meta flasin sikur të ishin bashkëkryetarë të opozitës. Sipas tij, në këto 4 vite, ata kanë qenë bashkëkryetarë të qeverisjes së krimit dhe korrupsionit

“Edi Rama dhe Ilir Meta po flasin sikur të ishin bashkëkryetarë të opozitës, por ishin bashkëkryetarë të qeverisjes së krimit dhe korrupsionit dhe të mashtrimeve. Nuk mbajti asnjë premtim Rama, sepse prioritetet e tij nuk ishin prioritetet e njerëzve. Tash pas 4 vjetësh e pas 4 javës cirk e estradë tash del me premtime të tjera.

Nuk kanë fytyrë të dalin përpara Shkodrës. Njëri flet për krim e drogë, tjetri për tepsi, korrupsion dhe emërime korruptive, njëri për korrupsion e tendera e tjetri për oligarkë, a thua nuk ishin këta që na qeverisën. A nuk ishin këta që sollën mijëra të zeza mbi Shqipërinë dhe larguan qindra e mijëra shqiptarë”, u shpreh Basha.

Ndërsa në takimin me elektoratin në Berat, ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se më 25 qershori, beratasit “nuk do të votojnë cirkun e Rilindjes”.

“Në këto katër vjet pamë jo sesi bëhet shteti, por sesi bëhet qameti, sesi përdoret policia, pamë sesi në 4 vjet hendeku dhe padrejtësia sociale është shtuar në këtë vend, ndaj Berati tani është për drejtimin e ri”, tha Meta.

Sipas Metës, programi i LSI-së do t’i japë një hov të ri ekonomisë, bujqësisë dhe punësimit, veçanërisht tek të rinjtë. 

“Berati është për pesëfishimin e buxhetit për bujqësinë, është për dhjetëfishimin e subvencioneve në bujqësi, për subvencionimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë punëdhënësit që marrin të rinj e të reja për herë të parë në punë, është për programe dhe kredi të buta deri në 2 përqind për të rinj dhe të reja që hapin një sipërmarrje për të punësuar dhe vetëpunësuar”, vijoi ai.

Ish-kreu i LSI-së tha se LSI është forca e vetme që bashkon të majtën dhe foli edhe për pritshmëritë që ka kjo parti në Qarkun e Beratit. “Nuk dua të dëgjoj jo do të marrim tre, jo do të marrim katër. Ne do të marrim pesë deputetë dhe Tomit e Xherrit do t’u lëmë vetëm nga një deputetë sa për shenjë. Ne jemi socialistë, por ne jemi edhe demokratë”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur mbrëmjen e së mërkurës mitingun e radhës elektoral në Durrës. “Pa diskutim, në këto 44 muaj kemi bërë mjaftueshëm për të dhënë të gjitha provat se ne jemi të vetmit që mund ta bëjmë këtë vend, mund të bëjmë shtet dhe të gjithë ata që besojnë tek Shqipëria do të gjejnë rrugën e punësimit dhe mirëqenies. Ne bëmë gjithçka mundëm me mish e me shpirt dhe sot, Shqipëria që kemi nuk është ajo që duam, por nuk ka të krahasuar me atë që kishim para 44 muajsh. Kemi dhënë provat se nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, ka thënë Rama.  

Sipas tij, populli shqiptar ndihet sot shumë më i respektuar dhe njerëzit shumë më të barabartë. “Sot nuk ka më kush është njeri i ndershëm paguan dritat dhe të tjerët nuk i paguajnë. Nuk është më kush zbaton ligjin i paguan taksat, ndërsa të tjerë jo sepse kanë një mbështetje në Tiranë”, ka thënë Rama. 

Ai ka pohuar se, vërtet qeveria e tij nuk e ka ndërtuar ende shtetin që trajton çdo qytetar të barabartë, por ka hedhur themelet e tij. “Dhe të dielën shqiptarët duhet ta ndajnë mendjen: ose do të vazhdojmë me punë, punë, punë për të ndërtuar shtet në shtëpinë tonë; ose do të ecim mbrapa. Shërimi i kancerit që mori peng Shqipërinë për çerek shekulli ka filluar”, ka vijuar Rama.

Më tej ai ka akuzuar LSI-në për vendosjen e militantëve të saj në strukturat e portit të Durrësit. “Nga porti i Durrësit janë larguar specialistë, vetëm e vetëm për t’u zëvendësuar nga njerëzit e partisë. Nga mënyra se si jepet një shans për të gjithë është: hajde të të jap punën dhe hajde dorëzo këtu dinjitetin tënd. Dhe për çdo vend pune duan 30 për qind për partinë”, ka thënë Rama, duke shtuar se më 25 qershor kjo praktikë do të marrë fund. /b.l/noa.al/