Transmetuar më 21-06-2017, 20:42

Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë mbrëmje në një takim elektoral në qytetin e Durrësit ku i ka kërkuar banorëve atje që të votojnë në 25 qershor Partinë Socialiste sepse sipas tij ajo ka treguar se di të bëjë shtet, ndërsa ka shtuar se nuk janë më të mirët, por më të mirë se ata nuk ka.

“Nëse keni ende dilema për votën tuaj në 25 qershor mjafton të hidhni një sy se çfarë është bërë në këto 44 muaj dhe do kuptoni se Partria Socialiste është e vetmja që ka vërtetuar se di të bëjë shtet.

Partitë nuk janë njësoj, ne nuk jemi si të tjerët, gjithashtu nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Në dallim nga të tjerët, për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar mund ta kuptojnë se Partia Socialiste është forca që e përfaqëson këtë flamur kuqezi.

Ja dolëm aty ku thoshin s’keni për t’ja dalë kurrë. Sot ndërkohë që në pazarin mediatik bëhet çmos për të përtypur dhe s’përtypur ca fakte lidhur me premtimet, dhe ndër ta më madhori është reforma në drejtësi e cila nuk është më një ëndërr, por është realiteti i Shqipërisë që duam sot.

Vettingu ka filluar dhe karvani i drejtësisë do të çlirohet hap pas hapi nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar”, u shpreh Rama. /b.l/noa.al/