Transmetuar më 21-06-2017, 19:59

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i ftuar në programin “Rudina”, ka treguar se gjatë studimeve në Holandë i është dashur të bëjë edhe rolin e DJ-të. “Ishin grupe studentore ku unë luaja muzikë. Në vitet ’90 na pëlqente edhe muzika e viteve ’80, por unë luaja muzikën tekno”, ka thënë Basha. Ai ka treguar se dëgjon shumë muzikë, duke filluar nga Bitëlls, muzikë klasike etj.

Basha u ndal më tej te studimet në Holandë dhe puna që ka bërë nga viti i dytë për të financuar shkollën. Ai tha se i është dashur të bëjë punë të ndryshme, me të cilave edhe të punojë në “Call Center”.

“Kam punuar në ‘Call Center’, në Holandë, gjatë kohës që isha student. Shisja në tregun amerikan një buletin financiar, që bënin dy vëllezër shumë të suksesshëm në këtë fushë në Holandë. Punoja nga ora 7 e pasdites deri në 11 të natës. Ata që punonin paradite, shisnin për Europë. Ndërsa unë paradite isha në shkollë, prandaj më duhej të punoja pasdite. Puna më dha mundësinë të paguaja vetë studimet e mia dhe të fitoja para”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës ka folur edhe për marrëdhënien mes tij dhe bashkëshortes Aurela, ku ka treguar se janë njohur në gjimnazin “Sami Frashëri”, ndërsa studimet e larta ai i ka kryer për juridik, ndërsa ajo për shkenca politike. Lulzim Basha është shprehur se bashkëshortja e tij është një mbështetje e madhe në karrierën e tij politike. /b.l/noa.al/