Transmetuar më 21-06-2017, 19:43

Lëvizja Socialiste për Integrim mbylli fushatën elektorale sot pasdite në Berat. Në fjalën e tij, ish kreu i LSI-së dhe njëkohësisht presidenti i zgjedhur, Ilir Meta i ka dërguar një tjetër mesazh kryeministrit Edi Rama.

“Kot i mban shpresat te bluja kryetari i mavisë, qofte te “Lulushi”, qofte te policia. S’i bën derman as marrëveshja e errësirës me “Lulushin” as policia të cilës i bëri thirrje pak ditë më parë të bëjnë fushatë për votat për PS, i tmerruar nga një fakt që Berati është dhe do të jetë i kuq.

Berati është dhe do jetë i kuq me LSI. Edhe Kavaja do i shporrë bandat e Rilindjes, ndaj asnjë shpresë të mos ketë lideri i mavisë tek bluja, Berati është dhe do jetë i kuq, jo i kuq po flakë fare. Sepse nuk i harron mashtrimet. Cirku mbaroi se Berati ka halle, probleme”, u shpreh Meta

Më tej Meta tha se Berati do votojë tani jo për të vazhduar edhe 4 vite të tjera cirkun e rilindjes, por do votojnë për planin e LSI.

“Taksat tuaja nuk do bëhen më rrush e palma por do çohen në sektorët më të rëndësishëm për të gjeneruar zhvillimin e vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Në katër vite qeverisje me të pamë jo si bëhet shteti por se si bëhet qameti.

Se si bëhet presioni, shantazhi, dhuna ndaj atyre të cilët nuk kanë paguar dritat, kemi parë se si bëhen akte ligjore dhe nënligjore nga oligarkët. Prandaj i them Beratit të votojë në 25 qershor Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse jemi të sigurtë që do të marrim 5 mandate”, tha Meta. /b.l/noa.al/