Transmetuar më 21-06-2017, 18:17

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një intervistë me Rudina Magjistarin në Tv Klan sot ka treguar një anë tjetër të tij, jashtë politikës. Një nga momentet që ka veçuar Basha, ishte dasma me nusen e tij Aurelën në vitin 2004, kur tha se ishin lodhur shumë, për shkak se ndryshe nga kohët e sotme, ku paguan dhe çdo gjë është gati apo ta përgatisin të tjerët, atëherë duhej çdo gjë ta bëje vetë.

Në studio u publikua për herë të parë edhe një foto e rrallë e Bashës me nusen gjatë dasmës. Ndërsa për vajzat tha se e vogla është komandantja e shtëpisë. Ai ka treguar edhe një moment të sikletshëm që ka kaluar ai dhe Aurela kur ishte shtatzënë me vajzën e vogël.

Basha tha se atë kohë ishte në mes të fushatës elektorale kur Aurela në muajin e shtatë të shtatzënisë pati një komplikacion shqetësues, por e kaloi fatmirësisht. Basha tha se ndryshe nga vajza e parë, tek e dyta nuk mundi të asistojë gjatë lindjes së saj.

Aurela Basha, ka qenë krah tij në çdo sukses, sfidë e sakrificë, që nga rinia e deri më sot, kur ai vijon të jetë një zë i rëndësishëm i politikës në vend. Megjithatë, me gjithë mbështetjen e madhe për bashkëshortin, Aurela ka zgjedhur një profil më të tërhequr nga publiku.

Ajo nuk ka preferuar të jetë bashkëshortja vitrinë politike që të duket në çdo takim, çdo mbledhje apo konferencë politike ku është i pranishëm lideri i opozitës. Këtë profil të bashkëshortes e ka konfirmuar edhe kreu i opozitës, ku ka rrëfyer, mes të tjerave, edhe profilin e tij familjar.

Pyetjes pse Aurela ka zgjedhur të jetë një bashkëshorte jo si një pjesë e mirë e bashkëshorteve të politikanëve, Basha thotë se ajo ka zgjedhur të jetë kështu me vetëdije: “Pavarësisht se sot jam kryetar i opozitës, që prej ditës së parë që jemi bashkë e deri më sot, ne mundohemi të jetojmë jetën tonë normalisht dhe të bëjmë një jetë që është jashtë politikës. Kjo është edhe arsyeja pse Aurela mban një profil të një gruaje, të një nëne dhe të bashkëshorte normale. Pa dyshim, ajo është një ndihmë dhe një mbështetje e jashtëzakonshme për mua, por me vetëdije, dhe me mbështetjen time, natyrisht, ka zgjedhur profilin normal të një bashkëshorteje dhe jo të një vitrine politike…”, tregon Basha.

Pa dyshim, Aurela është më pranë ecurisë së dy vajzave, i ndjek të gjitha detyrat e progresit të tyre në shkollë e kudo, thekson Basha, ndaj, si një nënë dhe një bashkëshorte e përkushtuar, ajo është një sukses më shumë në familjen e liderit të opozitës.