Transmetuar më 21-06-2017, 14:17

Dy vëllezër kanë mbetur të plagosur si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në afërsi të një punishteje e cila ndodhet në lagjen “Shënkoll” Elbasan, ku janë dëgjuar të shtëna armësh.

Efektivët e policisë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se brenda ndërtesës ndodheshin dy persona të dëmtuar.

Gentjan Beqiri, 60 vjeç banues në Elbasan dhe vëllai i tij Arben Beqiri, 49 vjeç banues në Elbasan, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Elbasanit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga shërbimet e policisë rezultoi se persona të paidentifikuar dyshohet të kenë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve Beqiri, të cilët kanë qenë duke punuar në punishte.

Mësohet se dy vëllezërit janë dëmtuar lehtë jo nga plumbat por gjatë tentativës për ti shpëtuar të shtënave me armë zjarri, duke u përplasur me sendet që ndodheshin brenda punishtes.

Aktualisht vijojnë hetimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. /a.y/noa.al

Foto arkiv